Portieri i Barcelonës hap zemrën: Nuk mund të heq dorë nga duhani

Portieri i Barcelonës dhe Kombëtares së Polonisë, Wojciech Szczesny, ka pranuar hapur se ende nuk është gati të përballet me varësinë e tij ndaj duhanit.
Përveç paraqitjeve të tij në fushë, Szczesny ka fituar zemrat e tifozëve të Barcelonës me sinqeritetin dhe karakterin e tij të drejtpërdrejtë. Për herë të parë në karrierën e tij, tifozët i kanë krijuar edhe një këngë të veçantë: “Szczesny duhanpirësi”, diçka që portieri polak e pranon me humor.
Gazeta Sport ka publikuar komentet e Szczesnyt nga intervista e tij për The Athletic, ku ai foli për “dobësinë” me të cilën jeton.
Ai e cilësoi duhanpirjen si një gjë “të tmerrshme”, të cilën nuk do t’ia rekomandonte askujt, por pranoi se aktualisht nuk është gati ta luftojë këtë varësi.
“Unë kurrë nuk kam pasur një këngë timen nga tifozët, prandaj po e shijoj. Mund të mos duket si gjëja më profesionale në botë, por unë jam ai që jam. Njerëzit e dinë se kam një varësi nga e cila nuk mund të çlirohem”, tha Szczesny.

“Besoj se kjo duket reale për ta, sepse shumë lojtarë kanë lloje të ndryshme varësish, qoftë nga nikotina, alkooli apo bixhozi. Por unë jam i hapur për këtë çështje. Është një varësi që as nuk jam ende gati ta luftoj. E pranoj dhe ndoshta kjo është ajo që e bën historinë time të duket reale në sytë e njerëzve”, shtoi ai.
Portieri polak shpjegoi se njerëzit nuk e dinë që ai pi duhan vetëm nga fotografitë e paparacëve, por sepse ai vetë ka folur hapur për këtë.
“E pranova varësinë time, një varësi nga e cila vuajnë shumë njerëz në botë. Ndoshta disa njerëz mund ta gjejnë veten në këtë histori”, u shpreh ai.
Megjithatë, Szczesny theksoi se nuk dëshiron në asnjë mënyrë të promovojë duhanpirjen.
“Unë kurrë nuk mendoj t’i inkurajoj njerëzit të pinë duhan. Mendoj se është një gjë e tmerrshme dhe të gjithë duhet ta shmangin. Është një nga dobësitë e mia, por jam në paqe me këtë dobësi”, përfundoi portieri i Barcelonës./Telegrafi/















































