Xhudistja pejane dhe vajza që para saj përulen të gjithë shqiptarët, kreu operim në ligamentet e gjurit pas problemeve që kishte me lëndim, transmeton Telegrafi.

Në një konferencë për shtyp, ‘e arta’ e Kosovës ka thënë se ndihet mirë duke e falënderuar edhe doktorin Florim Ramadani për operimin, por dukej në një humor mjaftë të lartë.


Ajo pritet të kthehet në stërvitje pas tre muajsh, ndërsa në gara pas pesë eventualisht gjashtë muajve.

"Mirë se erdhët në spital (qeshet). Po ndihem mirë. I falënderohem dr. Florimit për punën e bërë. Në fillim kam ndjerë dhembje dhe Toni më ka thënë se ndoshta nuk është serioze, por unë insistova që të bëhej rezonanca magnetike, pas së cilës doli që ligamentin e kisha të lënduar. Tasht jam shumë mirë dhe besoj se do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, tha Majlinda Kelmendi.

Ndërkohë për operimin kanë folur edhe doktori Florim Ramadani si dhe trajneri legjendar i xhudos në Kosovës, Driton Kuka.

“Fati i Majlindës është që në këtë fazë ka intervenuar dhe nuk e ka lënë më gjatë. Operimi ka shkuar për mrekulli dhe dua ta falënderoj të gjithë stafin për përkushtimin. Majlinda pas tre muajsh do të kthehet në stërvitje ndërsa nëse rehabilitimi shkon si duhet, atëherë kthimi i saj në gara mund të bëhet pas pesë ose gjashtë muajsh”, tha Ramadani.

“Falënderojmë ‘Spirtalin Amerikan’, për përkushtimin dhe punën e bërë si dhe dr. Florimin. Më herët në këtë spital ishte operuar edhe Nora Gjakova, dhe shpresojmë që Majlinda të ketë rikuperimin e njëjtë. Akoma është herët të flasim nëse Majlinda do të jetë në Baku në Lojërat Evropiane Olimpike, por do të jemi në koordinim me stafin e doktorëve”, deklaroi trajneri Driton Kuka. /Telegrafi/

telegrafi sport app