Lorik Boshnjaku, talenti i radhës që firmos për Prishtinën

Transferimi i Lorikut tek ‘bardhekaltrit’ është zyrtarizuar sot në një konferencën për media të mbajtur në zyrat e FC Prishtinës.
Drejtori i këtij klubi, Sokol Krasniqi tha se është i lumtur me blerjen e bërë, sepse sipas tij, Loriku është një lojtar i talentuar.
Ndërkaq, nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiçi, theksoi se kjo prurje vjen në vazhdën e përforcimeve që po bën FC Prishtina për sezonin e ardhshëm, por sipas tij, edhe për shumë vite. Njeriu i dytë i prishtinasve, tha se aspiratat e FC Prishtinës janë që në mesin e vet të ketë lojtarë të talentuar dhe me moshe të re.
“Në vazhdën e përforcimeve që i bën FC Prishtina për sezonin e ardhshme dhe për shume vite, dhe për aspiratat tona që të kemi në mesin tonë të kemi lojtarë të talentuar dhe me moshe relativisht të re, kemi përzgjedhë në bashkëpunim me Shtabin Teknik dhe njerëzit tjetër, një talenti i cili për vite po shkëlqen në klubin futbollistik 2 Korriku, i cili nga sot edhe zyrtarisht për tri vite do të jetë lojtar i klubit futbollistik Prishtina. Lorikut në emër të bordit, në emër të gjithëve, në emër të tifozëve i dëshirojmë mirëseardhje”, ka thënë Muçiçi.
Ndërkaq, Lorik Boshnjaku, tha se është i lumtur që i është bashkuar Prishtinës, e që sipas tij, Prishtina është klubi më i madh në Kosovë. Ai premtoi se do të angazhohet maksimalisht në klubin e ri në mënyrë që të arrijë suksese me skuadrën ‘bardhekaltër’.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Do të punojë shumë që të arrijë suksese me Prishtinën në të ardhmen. Prishtinën e zgjodha për shumë arsye, sepse është klub i madh dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e futbollistëve më të mirë”, theksoi Boshnjaku.
Ndërkohë, nënkryetari i FC Prishtinës, ka folur edhe për spekulimet rreth largimit të mundshëm të dy ikonave të klubit prishtinas, Driton Krasniqit dhe Kushtrim Mushicës. Muçiçi tha se këto janë vetëm spekulime të disa mediave, sepse sipas tij, Mushica dhe Krasniqi nuk janë në listën e transferimeve.
“Kurrë gjë s’ka të vërtetë, krejt janë vetëm spekulime të disa mediave. Fatkeqësisht disa mediumeve të cilat po thirren në bazë të burimeve te tyre brenda klubit, e absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë. Listën përfundimtar është i autorizuar ta bëjë Shefi i Shtabit Teknik. Sa i përket Mushicës dhe Dritonin po e them më përgjithësi të plotë se aspak nuk është e vërtetë dhe nuk janë në listën e transferimeve”, ka pohuar Muçiçi.
Ai ka shtuar se të gjithë ato media që thirren në burim të klubit vetëm spekulojnë, dhe sipas tij, nuk ofrojnë asgjë të vërtetë.
Muçiçi theksoi se çdo kush që dëshiron informacione mund të marr në FC Prishtina. Ai thotë se Prishtina nuk është klub i mëhallës, ka adresë, ka zyre, ka imell adresë, dhe është një klub i regjistruar në bazë të kritereve të FIFA-së dhe UEFA-së./KP/Telegrafi/



















































