Tentuan të shisnin 21 prona me dokumente të falsifikuara, tre të arrestuar në Mitrovicë


Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njofton se si rezultat i veprimeve të koordinuara operative dhe hetimore, është parandaluar përfundimi i procedurave për sigurimin e dokumentacionit noterial, i cili dyshohet se kishte për qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme.
"Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, ekziston dyshimi i bazuar se personat e përfshirë, përmes përdorimit të një dokumenti identifikues të falsifikuar dhe dokumentacionit tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për disponimin mbi shitblerjen me njëzetenjë prona të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pa vullnetin e pronarit legjitim", thuhet në njoftim.
Sipas prokurorisë, dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, ndërsa fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin përkatës.
"Realizimi i veprimeve të dyshuara është parandaluar para përfundimit të aktit noterial, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit janë evidentuar mospërputhje në të dhënat identifikuese dhe është ngritur dyshimi lidhur me autenticitetin e dokumenteve të paraqitura para noterit", vijon njoftimi.
Në këtë rast janë arrestuar dhe intervistuar tre persona, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për dyzet e tetë (48) orë.
Gjatë kontrollit të realizuar në pronën e njërit prej personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm. /Telegrafi/





































