Kosova e Shqipëria për projekte të përbashkëta në fushën e sportit

Sipas njoftimit për medie, ata diskutuan për thellim të bashkëpunimit në fushën e sportit, përmes shkëmbimit të përvojave të ndërsjella dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta në këtë fushë.
Zëvendëskryeministri Shala e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sportit, duke e theksuar edhe faktin se shumë sportistë nga Kosova marrin pjesë në ngjarje të ndryshme sportive ndërkombëtare nën emrin e Shqipërisë.
Shala gjithashtu e informoi ministren Nikolla për mbështetjen që jep MKRS-ja për sportin, përmes investimeve në infrastrukturë, përkrahjen e federatave dhe organizimeve të ndryshme sportive.
Zëvendëskryeministri u shpreh se është i gatshëm që Kosova e Shqipëria ta thellojnë bashkëpunimin dhe të ndajnë përvojat e përbashkëta me qëllim të avancimit të sportit.
Nga ana tjetër, ministrja Nikolla e informoi ministrin Shala se është duke punuar në masivizimin e sportit në Shqipëri me qëllim edhe të edukimit të të rinjve. Ajo e çmoi bashkëpunimin që Shqipëria e Kosova kanë ndërmjet vete dhe u shpreh se është e rëndësishme dhe me interes që dy vendet të kenë projekte konkrete të përbashkëta edhe në fushën e sportit, duke theksuar shkëmbimin e përvojave me qëllim të rritjes së cilësisë dhe prezantimit sa më garues ndërkombëtar. /Telegrafi/



















































