eksperti-banner

Real Madridi ka hyrë në garë për transferimin e qendërmbrojtësit të Interit, Alessandro Bastoni, pasi Barcelona duket se ka hequr dorë nga interesi për reprezentuesin italian.

Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, Interi nuk ka ndërmend të lejojë largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës pa një ofertë të konsiderueshme, duke vendosur çmimin e Bastonit në rreth 70 milionë euro.


Megjithatë, çdo lëvizje eventuale nga Real Madridi pritet të varet edhe nga miratimi i trajnerit të ri, Jose Mourinho, i cili po vlerëson opsionet për forcimin e repartit defensiv për sezonin e ardhshëm.

Raporti shton se marrëdhëniet mes Interit dhe Real Madridit janë forcuar së fundmi pas transferimit të Denzel Dumfries në “Santiago Bernabeu” për 20 milionë euro.

Po ashtu, presidenti i Interit, Beppe Marotta, raportohet se ka zhvilluar një takim me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, në kryeqytetin spanjoll, ku mes temave të diskutimit ishte edhe e ardhmja e Bastonit.

Los Blancos tashmë kanë siguruar përforcim në mbrojtje me transferimin e qendërmbrojtësit francez Ibrahima Konate si lojtar i lirë, por klubi vazhdon të kërkojë alternativa për të rritur konkurrencën dhe cilësinë në prapavijë.

Bastoni konsiderohet një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A dhe një element kyç në skemat e Interit, ndaj mbetet të shihet nëse Real Madridi do të jetë i gatshëm të përmbushë kërkesat financiare të klubit italian për të finalizuar marrëveshjen./Telegrafi/

telegrafi sport app