Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e Rodrit nga Manchester City, në një marrëveshje që kap vlerën e 76.5 milionë eurove.

Por, përtej rëndësisë së transferimit, mënyra se si katalunasit e prezantuan mesfushorin spanjoll duket se përmban edhe një thumbim të drejtpërdrejtë ndaj rivalit të përjetshëm, Real Madridit.


Në videon e prezantimit, Barcelona vë theksin te aftësia e Rodrit për të kontrolluar ritmin e lojës, duke e vendosur në kontrast me shpejtësinë si një prej armëve kryesore të skuadrave kundërshtare.

“Çdo pasim, çdo ndalesë, çdo shpërthim shpejtësie nis me një zgjedhje. Futbolli nuk ka të bëjë vetëm me shpejtësinë – ka të bëjë me ritmin, të dish kur të presësh, kur të lëvizësh dhe se si një prekje mund të ndryshojë gjithçka. Disa lojtarë ndjekin ritmin, të tjerët e vendosin atë”, thuhet në videon e Barcelonës.

Kjo pjesë është interpretuar si një kunj ndaj Real Madridit, i cili ka në skuadër disa prej lojtarëve më të shpejtë në futbollin botëror, përfshirë Vinicius Junior, Kylian Mbappe dhe Yan Diomande.

Rodri ishte gjithashtu i lidhur me një transferim te Real Madridi, përpara se Barcelona të arrinte marrëveshjen me Manchester Cityn.

Për Barcelonën, transferimi i tij përfaqëson një goditje të madhe në treg dhe një përforcim të rëndësishëm për mesfushën, ndërsa mënyra e prezantimit vetëm sa i ka shtuar rivalitetit me Real Madridin. /Telegrafi/

telegrafi sport app