Palestra ishte mbushur pothuajse komplet nga Shqiponjat, të cilët dhuruan atmosferë impozante, e sidomos treguan mbështetje të madhe për Samir Shaptahoviqin, i cili luajti ndeshjen e fundit të tij në basketbollin kosovar.

Me 3 trepikësha të SuperSamirit, pejanët e nisën furishëm ndeshjen, mirëpo pastaj bënë shumë gabime në mbrojtje dhe në sulm, të cilat skuadra e Rilskit i shfrytëzoi mirë dhe e mbylli çerekun e parë me tetë pikë epërsi, 19-27.


Pejanët nën udhëheqjen e Shaptahoviqit arritën që ta barazojnë rezultatin në 30-30, pas një serie 11-3, mirëpo sërish mbrojtja inepte e pejanëve lejoi që mysafirët t’ju kundërvihen dhe ta mbyllin pjesën e parë me avantazh të vogël, 41-44.

shaptawin

Vendasit u futën furishëm në çerekun e tretë dhe përmes Drilon Hajrizit arritën të dalin në epërsi pas një kohe të gjatë (48-46). Sidoqoftë, pas disa gabimeve ofensive, verdhezinjtë përsëri në përmbyllje të këtij çereku e humbën epërsinë(65-70) dhe ia vështirësuan punët vetes për çerekun e fundit.

Perioda e fundit ishte tejet dramatike, me pejanët që me përkrahjen e zjarrtë të Shqiponjave arritën ta shkrijnë disavantazhin në vetëm tre pikë, 83-84, e meritat më të mëdha i pat superylli i basketbollit kosovar, Samir Shaptahoviq.

Sidoqoftë, as 31 pikët e Samirit nuk i mjaftuan Pejës për ta përmbysur rezultatin, duke e humbur kështu ndeshjen me dy pikë disavantazh, 91-93.

Edhe pas kësaj humbje Peja mbetet e para në tabelë në Grupin A të Ligës Ballkanike me 12 pikë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app