Përfundon ‘telenovela’ Mendurim Hoti – Ferronikeli. Sulmuesi tashmë do të jetë futbollist i ri i Ferronikelit dhe ky është përforcimi i dytë që ka realizuar skuadra e Gani Sejdiut. Në fakt, pas ardhjes së Egzon Gashit, repartit të sulmit do t’i bashkohet edhe një emër tjetër, ai i Mendurim Hotit.

Ish-futbollisti i Teutës së Durrësit deri vonë në dokumentet e tij ka pasur mbiemrin Olluri, por së fundmi e ka ndërruar atë. Hoti është ndarë i kënaqur me arritjen marrëveshjes. “Po, kam arritur marrëveshje gjashtëmujore me Ferronikelin. Jam i kënaqur me kushtet e ofruara nga kjo skuadër dhe shpresoj që do të jap maksimumin”, u shpreh ish-anëtari i 2 Korrikut për ‘Sport Plus’.


Ai shtoi se një arsye tjetër që vendosi t’i bashkohet Ferronikelit është edhe pozita e mirë e kësaj skuadre në renditje. “Kam ardhur te Ferronikeli, pasi kjo skuadër ka luajtur mjaft mirë stinorin vjeshtor dhe renditet në pozitën e parë dhe është kampion vjeshtor. Shpresoj që tashmë t’i ndihmoj edhe unë e pse jo në fund të kampionatit të shpallemi kampion”, përfundoi Hoti.

Futbollisti prishtinas më herët është paraqitur edhe për 2 Korrikun, nga ku arriti të behët pjesë e Teutës. Prezantimi i tij me fanellën e ekipit nga Drenasi mund të bëhet gjatë ditës së sotme. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app