LAJMI I FUNDIT:

Gjilani kërkon fitore ndaj Liepajas, flasin Ramadani dhe Dabiqaj

Gjilani kërkon fitore ndaj Liepajas, flasin Ramadani dhe Dabiqaj

Gjilani do të luajë ndaj Liepajas në Ligën e Konferencës të enjten në stadium “Fadil Vokrri”.

Trajneri i ri i Gjilanit, Zekirija Ramadani,  do të debutojë në këtë përballje, ku kërkon fitore.


“Do të jetë ndeshja ime e parë zyrtare me Gjilanin. Do të jetë ndeshje me shumë vlera dhe mendoj se kemi pasur kohën e duhur. Liepaja është ekip me eksperiencë, por ne kemi pikat tona të forta dhe nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë e jo të kundërshtarit, do të marrim rezultat pozitiv. Nëse nuk marrim rezultat të mirë, nuk do të thotë se përfundon, por uroj të fitojmë ne”, ka thënë Ramadani.

Tutje trajneri që i ka fituar tre tituj kampioni në Kosovë me Trepçën ’89, Prishtinën dhe Feronikelin, ka shtuar se nuk i intereson loja e bukur, por vetëm fitorja.

“Ne luajmë për të kaluar tutje. Nuk na intereson loja e mirë, por na intereson kalimi i raundit”, deklaroi trajneri shkupjan.

Ai ka thënë në fund se Besar Musolli nuk do të jetë titullar, ndërsa Agustin Torrasa dhe Mevlan Zeka do të mungojnë në këtë përballje.

Dabiqaj: Duam fitore

Mesfushori i Gjilanit, Albert Dabiqaj, ka folur për ndeshjen me Liepajan, duke thënë se me lojë të bukur dhe angazhim maksimal, mund ta sigurojnë kalimin në raundin e dytë.

“Do të mundohemi që nëpërmjet lojës së bukur të arrijmë kualifikimi tutje. Jemi gati të jemi më të mirën”.

“Nuk po mendojmë për sezonin e ri, por po mendojmë për ndeshjen ndaj Liepajës. Atmosfera është e jashtëzakonshme”, ka thënë Dabiqaj.

Gjilani do të përballet me Liepajan, të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./Telegrafi/