E mendoi fundin e karrierës, por Botërori ndryshoi gjithçka – Vozinha pranë një transferimi të bujshëm


Vozinha është kthyer në një nga emrat më të përfolur pas paraqitjeve heroike me Kepin e Gjelbër në Kupën e Botës dhe tashmë ka tërhequr interesimin e disa klubeve. Një tjetër skuadër e madhe i është bashkuar garës për ta transferuar portierin me parametra zero këtë verë.
Portieri 40-vjeçar ishte një nga figurat kyçe të përfaqësueses së Kepit të Gjelbër, e cila shkroi historinë duke arritur për herë të parë në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës. Megjithatë, aventura e tyre u mbyll pas humbjes dramatike 3-2 ndaj Argjentinës, në një ndeshje që u vendos vetëm pas vazhdimeve.
Para fillimit të Botërorit, Vozinha kishte bërë të ditur largimin nga skuadra portugeze e GD Chaves, që militon në Ligën e Dytë të Portugalisë, duke menduar ndoshta se turneu në skenën më të madhe të futbollit mund të ishte kapitulli i fundit i karrierës së tij profesionale.
Por pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2026, situata ka ndryshuar plotësisht. Raportohet se portieri veteran është “bombarduar” me oferta nga klube të ndryshme në mbarë botën.
🚨🇨🇻 Colo Colo are in negotiations to sign Cape Verde GK Vozinha as free agent.
Initial proposal sent, Vozinha’s camp has replied with a counter proposal.
Colo Colo will decide between Vozinha and Santiago Mele soon. 🇨🇱
Vozinha also has more proposals from South America. pic.twitter.com/Dbw2py1uYo
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) July 18, 2026
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, gjiganti kilian Colo-Colo ka paraqitur ofertën e parë zyrtare për Vozinhën, ndërsa përfaqësuesit e portierit kanë kthyer përgjigje me një kundërofertë.
Megjithatë, klubi kampion i Kilit po monitoron edhe një tjetër opsion për portën, pasi është i interesuar edhe për portierin uruguaian të Monterrey, Santiago Mele.
Vozinha kërkon edhe një sfidë të fundit në futboll para se të varë dorezat, duke shtuar një kapitull tjetër në një karrierë prej 19 vitesh, gjatë së cilës ka zhvilluar 280 paraqitje.
Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur në disa kontinente dhe ka përfaqësuar klube në vende si Kepi i Gjelbër, Angola, Moldavia, Qipro, Sllovakia dhe Portugalia.
Një aventurë në Amerikën e Jugut do t’i ofronte mundësinë për të luajtur në kontinentin e tretë të karrierës së tij, pas Evropës dhe Afrikës./Telegrafi/











































