Sulmet ruse me raketa godasin Kievin, të paktën 15 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur
Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 42 të tjerë janë plagosur nga një valë sulmesh ruse me raketa dhe dronë ndaj Kievit dhe zonave përreth kryeqytetit ukrainas transmeton Telegrafi.
Sulmet e kryera gjatë natës, kanë shkaktuar zjarre të mëdha dhe dëme në ndërtesa, depo ushqimore, qendra logjistike dhe objekte të tjera shkruan BBC.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, 14 persona u vranë dhe 27 u plagosën në rajonin më të gjerë të Kievit. Zjarre dhe dëme janë raportuar në zonat Brovary, Bucha dhe Fastiv.
Në qytetin e Kievit është konfirmuar vdekja e një personi, ndërsa të paktën 15 të tjerë janë plagosur. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë në disa lagje të kryeqytetit për të shuar zjarret dhe për të kërkuar persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se një depo pranë qendrës së qytetit ishte shkatërruar, ndërsa dy persona ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.
“Mund të ketë ende njerëz nën rrënoja. Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë”, deklaroi Klitschko.
Në mesin e të plagosurve është edhe një shofer ambulance, ndërsa disa persona ndodhen në gjendje kritike. Mbetjet e një rakete kanë rënë gjithashtu pranë një ndërtese banimi, ndërsa autoritetet raportuan edhe rrjedhje të amoniakut në një nga zonat e goditura.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se shënjestrat e sulmeve ishin qendra logjistike dhe pika furnizimi që përdoreshin për qëllime ushtarake. Pretendimet e palëve nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Sulmi vjen në një kohë kur Rusia ka intensifikuar përdorimin e raketave balistike ndaj kryeqytetit ukrainas. Ukraina ka paralajmëruar se rezervat e raketave për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot” janë të kufizuara, duke e bërë më të vështirë zmbrapsjen e sulmeve të mëdha./Telegrafi/.





























