“Barazimi ndaj Drenicës nuk është shqetësues, pasi kemi dominuar në ndeshje në fushë të saj. Ndeshjet ndërmjet këtyre dy skuadrave gjithmonë janë interesante. Jemi të përgatitur mirë dhe kemi skuadër të fortë, kurse fitoreve do t’u rikthehemi shpejt”, ka thënë Egzon Gashi për “Epokën e re”.

Sulmuesi pejan është i bindur se Ferronikeli mund ta mbajë gjatë pozitën e liderit, pse jo edhe deri në fund të kampionatit. “Nuk e kemi synim që me çdo kusht ta fitojmë titullin, por do ta japim maksimumin që të qëndrojmë sa më gjatë në pozitën e parë dhe, pse jo, të shpallemi kampionë. Ne kemi një grup të futbollistëve që kanë shoqëri të mirë ndërmjet vete. Harmonia dhe disiplina që e ka krijuar trajneri janë ato që na dallojnë nga të tjerët”, ka shtuar Gashi, i cili nuk i përjashton skuadrat kryesuese nga lufta për titull.

“Për titull jemi ne, Prishtina, Besa, Hajvalia dhe Trepça ’89. Herët është të thuhet se cila skuadër është më favorite se tjetra”, ka deklaruar Gashi. Në fund, sulmuesi Egzon Gashi foli edhe për ish-skuadrën e tij, Besën nga Peja. Për këtë të fundit Gashi pati fjalë të mira. “Besa e ka një ekip të mirë, me lojtarë me emër të madh në futbollin e Kosovës, prandaj edhe rezultatet e fundit s’janë të rastësishme”, ka përfunduar ai.


Ferronikeli ka 41 pikë, tri pikë më shumë se Prishtina, e cila renditet e dyta në tabelë.

telegrafi sport app