Futbollistët e Vëllaznimit mund ta presin vitin e ri pa e marr asnjë cent dhe kështu, shportat e tyre mund të mbesin të zbrazura. Madje, pas deklaratës së kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, se Komuna nuk ka para për ta ndihmuar klubin e futbollit, atyre u janë shuar shpresat e vogla që kishin se do të ketë para për festat e fundviti.

Njëri prej futbollistëve më të dëshpëruar është, Alban Dylazeka, i cili fajin kryesore që nuk kanë marr para që tre muaj dhe nuk dihet kur do të marrin, e ka kryesia e klubit. Sipas tij, nuk pritet të ketë ndryshime kur në krye të skuadrës është një kryetar që nuk ka lidhje me futboll.


“Unë nuk po shoh asnjë ndryshim, si kryesia e kaluar është edhe kjo e sotmja. Nuk pritet të ketë ndryshime kur kryetari i klubit Mentor Nela thotë se primare për mua është puna që e bëjë në bankë, kurse klubi i futbollit është në plan të dytë. Unë nuk di se si e kanë zgjedhur kryetar një njeri që nuk merr vesh në futboll. I vetmi nga kryesia që angazhohet për të na siguruara paga, është Valon Lluka, askush tjetër”, u shpreh për ‘Sport Plus’, Dylazeka, i cili shtoi më tej se nuk janë mësuar të gëzohen kurrë për vitin e ri.

“Kurrë nuk jemi mësuar që të gëzohemi për festën e vitit të ri, gjithmonë ka qenë kështu. Unë kam oferta dhe jam duke pritur se çka do të ndodhë deri në janar. Nëse nuk ka përmirësime, unë do të largohem. Nuk mund të rri më kështu në Vëllaznim”, shtoi Dylazeka.

“Futbollistët më thërrasin çdo ditë në telefon dhe më pyesin se a ka diçka të re, a ka ndonjë lajm të mirë për paga. Mua më vjen keq që deri me tani nuk ka mundur të jap lajme të mira sepse kryesia nuk më ka njoftuar se ka diçka. Çdo ditë po presim që të ketë lajme të mira. Ne po dalim edhe në stërvitje dhe të shohim se çka do të bëhet. Kryesia po thonë se janë duke punuar që të paguhen sa më shpejt pagat. Jemi duke pritur me ‘vesh në krah’ siç thotë populli”, u shpreh kapiteni Gjeraj. Ai theksoi më tej se kryetarja e Gjakovës ka bërë çka ka mundur dhe nuk është fajtore për gjendjen e klubit. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app