FFK: Asnjë futbollist nuk mund të ndërrojë ambient pa leje të klubit

Lajme aspak të mira për skuadrat që kanë bërë dhe pretendojnë të bëjnë përforcime gjatë afatit kalimtar të dimrit. Kjo për shkak se asnjë futbollist nuk mund të ndërrojë ambient pa leje të klubit paraprak edhe nëse mes palëve ka skaduar kontrata. Kësisoj, shumica e përforcimeve të bëra deri më tash nga skuadrat elitare, por edhe nga ato të rangjeve më të ulëta nuk mund të llogariten si zyrtare, përderisa klubi i ri të dorëzojë në FFK fletëlëshimin e lojtarit nga klubi paraprak. Kështu ka njoftuar për gazetën zyrtari i shtëpisë së futbollit kosovar për regjistrimin e futbollistëve, Adem Qollakaj.
“Një vit ka dy afate kalimtare, atë të verës dhe të dimrit. Në afatin kalimtar të verës është i lirë secili futbollist që të ndërrojë ambient nëse nuk ka kontratë. Ndërkohë, në afatin e dimrit, i cili ndryshe quhet edhe si afat i marrëveshjes, lojtari nuk mund të ndërrojë skuadër pa pëlqimin e klubit në të cilin ka luajtur edhe nëse nuk ka kontratë”, deklaroi Qollakaj për ‘Sport Plus’.
FFK në të kaluarën ka licencuar futbollistët vetëm për gjashtë muaj dhe ata kanë mundur të lëvizin pas çdo stinori. Mirëpo, prej verës së këtij viti, lojtarët janë licencuar për një vit që do të thotë se ata kanë obligim njëvjeçar ndaj klubit edhe nëse nuk kanë kontratë të nënshkruar.
“Licencimi për futbollistë në verë është bërë për një vit dhe lojtari ka detyrime ndaj klubit. Kjo është e rregulluar me nenin 23 për regjistrimin e klubeve. Bile, nga tash, kontratat profesionale duhet të skadojnë më 30 qershor”, shtoi Qollakaj. /Telegrafi/



















































