Befasia më e madhe dhe më e mirë e sezonit vjeshtor ende nuk e ka bërë asnjë përforcim, raporton Zëri, ndërsa trajneri i kësaj skuadre, Gani Sejdiu nuk mërzitet fort.

“Në dallim prej këtyre ekipeve që po përforcohen, të cilat kanë startuar me qëllim që ta fitojnë titullin e kampionit, ne nuk e kemi pasur këtë objektiv. Por, gradualisht kemi arritur deri këtu, dhe me plot meritë. Vendi i parë nuk ka sjellë eufori te ne. Unë jam pajtuar me klubin që të mos bëjmë shpenzime të mëdha e të panevojshme, sepse kemi plane më afatgjate, prandaj nuk po përforcohemi si ekipet e tjera”, tha Sejdiu për “Zërin”.


“Më vonë do të kthehemi në stadiumin tonë, pastaj ndoshta do të vjen edhe ndërkombëtarizimi, dhe atëherë do të ishte e arsyeshme të shpenzojmë, sepse rriten pretendimet. Por, në këtë kohë krize duam të jemi më të kujdesshëm”, u shpreh ai.

Sipas Sejdiut, “Nikli” ka krijuar ekip shumë të fortë, andaj pa problem do të kalojë mirë edhe në sezonin pranveror, madje edhe nëse nuk përforcohet fare. “Ne duam ta ruajmë këtë ekip që e kemi krijuar, këtë organikë. Të njëjtit do të jemi edhe në pranverë, sikurse në vjeshtë, sepse kemi krijuar diçka të mirë dhe duam ta ruajmë”, u shpreh trajneri mitrovicas, që insiston se Feronikeli nuk e ka synim të domosdoshëm titullin, por thotë se do t’ia bëjë hyzmetin.

Por, sadopak nuk do ta lë pa u përforcuar. “Sigurisht, sigurisht. Një apo dy përforcime do t’i bëjmë, jo emra, por lojtarë që na duhen”, përfundoi Sejdiu. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app