FBK merr lajme të mira nga FIBA

Anëtari i Bordit të FBK-sëm Arben Fetahum u takua me shefin e zyrës ligjore të FIBA-s, Benjamin Cohen, kurse temë e takimit ishte përputhshmëria e akteve normative të FBK-së me ato të FIBA-s dhe përmbajtja e aplikacionit të FBK-së për anëtarësim në FIBA, që tashmë është përgatitur nga ekipi i FBK-së. Në takim u konstatua se aktet normative të FBK-së janë në përputhje me ato të FIBA-s dhe aplikacioni për anëtarësim përmban të gjitha pjesët që kërkohen për shqyrtim nga zyra ligjore, transmeton Telegrafi.
Në takimin e dytë, Sekretari i Përgjithshëm, Leart Hoxha, u prit nga Javier Deshayes Lopez, zyrtari përgjegjës për transfere ndërkombëtare të lojtarëve.
Sipas z. Deshayes Lopez, FBK-ja kohëve të fundit, ka qenë shumë e përpiktë në zbatimin e rregullave dhe procedurave të transferimit të lojtarëve. Sekretari i Përgjithshëm, Leart Hoxha, edhe në këtë takim përsëriti përkushtimin e FBK-së që të vazhdojë të respektojë procedurat dhe rregullat e FIBA-s, të cilësuara si parakusht i rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në FIBA.
Nesër në ora 14:00 delegacioni i FBK-së, i udhëhequr nga kryetari Erolld Belegu në selinë e FIBA-s do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Patrick Baumann, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të FIBA-s. /Telegrafi/






















































