FBK-ja paralajmëron nominimin e Pejës për BIBL

Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, të enjten, ka bërë të ditur propozimin e tij për nominimin e Pejës. Belegu ka thënë se të hënën do t'ia propozojë Bordit të FBK-së nominimin e Pejës për BIBL.
FBK-ja, deri më tani ka nominuar Sigal Prishtinën që është kampione në fuqi e kësaj gare dhe skuadrën e Bashkimit. Belegu të enjten ka pasur edhe një takim me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në lidhje me skuadrën e Pejës, që më herët është përjashtuar nga elita e basketbollit e Kosovës, pasi ka lëshuar parketin në ndeshjen e tretë finale të plejofit kundër Prishtinës.
"KB Peja nëpërmjet një shkrese zyrtare ka njoftuar FBK-në që do të fillojë ristrukturimi i klubit, duke përfshirë kuvendin zgjedhor të klubit në muajin shtator dhe me këtë ka filluar përmbushjen e kërkesave të FBK-së.
Të përkrahur nga Kuvendi Komunal i Pejës, klubi ka emëruar koordinatorin për riorganizim të klubit, z. Fatmir Gashi, i cili njëkohësisht do të jetë person kontakti me FBK-në në të ardhmen", ka shkruar Belegu në rrjetin social "Facebook". "Të hënën do t' i propozoj Bordit të FBK-së që të nominojë KB Peja për gara në BIBL".



















































