I pari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, gjatë vizitës zhvilloi takime të shumta me institucionet sportive, por edhe ato shtetërorë të vendit tonë.

Vizer pas orës 14:00 në shoqëri të Kryetarit të KOK-ut, Besim Hasanit, ish ministrit të Sportit, Memli Krasniqit, kryetarit të Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK), Agron Kukës, kampiones së botës, Majlinda Kelmendit e Nora Gjakovës, si dhe trajnerit Driton Kuka ju drejtuan gazetarëve në një konferencën të mbajtur në ‘Sirius’.


Kreu i Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK), Agron Kuka tha se është i nderuar që sot vendin tonë po e viziton presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer. Kuka duke falënderuar Vizerin për mbështetjen dhe ndihmën që ka bërë në ndërkombëtarizmin e sportit, tha se “Vizer ka qenë lojtari kyç për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON). Sipas Kukës, Vizer ka qenë njeriu që ka bërë të pamundurën që Kosova të pranohet në KON.

Ndërkaq, ish ministri i sportit dhe kryetari i nderit të Federatës së Xhudos së Kosovës, Memli Krasniqi tha së është nder i madh për familjen e xhudos sonë dhe komunitetit sportiv të vendit tonë që kemi prezentë mikun e madh të sportit tonë, Maruis Vizer.

“Zoti vizer për vite me radhe ka qenë dhe mbetet një nga mbështetësit kryesor të sportit kosovar në rrugën të mundimshme drejt ndërkombëtarizimit. Pa dyshim se ka qenë vizion i tij dhe nën liderinshipin e tij, Kosova ka arritur sukseset të rëndësishme në rrugën drejt ndërkombëtarizimit dhe këtu ju kujtoj vendimin e zotit Vizer për sportistët e Kosovës, e që fillimisht të përfaqësohen nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, e veçanërisht më faktin se ai pastaj mori një hap të jetë të rëndësishëm duke pranuar Federatën e Xhudos së Kosovës si anëtare me drejta të barabarta në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos, duke ia hapur rrugën kështu Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës e shumë sportistëve tjetër që të përfaqësojnë në mënyrë të denjitetshëm vendin tonë në arenën ndërkombëtare, duke arritur edhe sukseset kulminante që tash i di gjithë bota”, tha Krasniqi.

Ai tha se rezultatet e xhudistëve tonë i mundësuan sportit tonë pranimin më drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Edhe Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani e ka falënderuar të parin e Federatës Ndërkombëtare te Xhudos për punën që madh që ka bërë në integrimin e sportit tonë në instancat ndërkombëtare. Hasani tha se Vizer e mbajti premtimin e vitit 2009, i cili kishte premtuar se do ta ndihmoj sportistët e Kosovës.

“Sot vërtetë Komuniteti i Sportit, por edhe lëvizja olimpike dhe gjithë qytetarët e Kosovës janë të nderuar me prezencën e një njeriu i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërkombëtarizmin e sportit. Personalisht jam dëshmitar i krejt kontributit të Vizer që nga viti 2009 kur vizitojë Kosovë, Federatën e Xhudos dhe isha prezentë në atë takim, dhe që atëherë premtoi se do t’i ndihmoj sportistët e Kosovës e në radhë të parë xhudistët. Në vijim edhe ju jeni dëshmitar se çfarë ka bërë Vizer për ta ndihmuar sportistët. Gjithmonë ky e ka ndarë politikën nga sporti dhe gjithmonë ka qenë të ndihmojë sportistët dhe kjo është një vlerë që e bën të veçantë zotin Vizer. Në fazat e mëvonshme, Vizer na ka ndihmuar për pranimin e federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe përfundimisht më pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtare”, theksoi Hasani.

I lumtur me vizitën e presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, është shprehur edhe trajneri i xhudos, Driton Kuka. Ai para se të flas për mysafirin, lavdëroi edhe punën që ka bërë ish ministri Memli Krasniqi. Sipas Kukës, ish ministri Krasniqi ka bërë një bashkëdyzim të shkëlqyer me të gjitha federata sportive dhe njerëzit e sportit, duke dhënë kontribut të madh në sukseset në rrafshin ndërkombëtar.
Ndërkaq, duke folur për presidentin Vizer, Kuka tha se edhe po të flasim një javë do të ishte pak për kontributin që ka dhënë Vizer. Kuka tha se vendi ynë është i nderuar që presidenti i Federatës Ndërkombëtare te Xhudos, do t’ia ndajë Kampiones së Botës, Majlinda Kelmendit çmimin sportistja më e mirë në të gjitha kategoritë.

“Arsyeja që presidenti i Federatës Ndërkombëtare është këtu prezentë është se pikërisht xhudistja jonë, kampionia e dyfishtë botërore, Majilinda Kelmendi në fund të vitit 2014, ka 4230 pikë më së shumti, pikë në ranglistën botërore nga gjitha kategoritë për femra dhe meshkuj. Federata Botërore e Xhudos këtë vit ka vendosur që xhudisten më të mirë në botë sipas ranglistës botërore dhe xhudistin më të mirë në botë t’i shpall në mënyrë solemne dhe kjo më të vërtetë i bën nder Kosovës, sepse në historinë e sportit të Kosovës kemi pasur shumë kampion, shumë sportista të mëdhenj, megjithatë, që një sportist të mbyll vitin si sportisti më i mirë i ati sporti nuk ka ndodhur kurrë deri më tash e kjo e bënë më të veçantë këtë ngjarje”, tha Kuka.

Ndërkaq, kampionia e botës, Majlinda Kelmendi gjatë fjalës së saj kujtoj një ndodhi në Kampionatin Botëror të mbajtur në Rusi. Ajo tha se presidenti Vizer i kishte premtuar se në rast do të bëhej kampione, do ta vizitojë Kosovë. Majlinda tha se ndjehet e lumtur që Vizer e mbajti premtimin. Ajo tha se është e lumtur që çmimin për më të mirën e xhudos, e merr në shtetin e tonë.

“Kur kemi qenë në Rusi në Kampionatin Botëror më njëherë pas hedhjes se shortit, zoti Maruis Vizer ka ardhur me na përshëndete pas asaj mosmarrëveshje që ndodhi atje, ku nuk na u lejua të garojmë për Kosovë. Zoti Vizer më tha se nëse bëhesh kampione po të premtoj se do të vijë në Kosovë të vizitojë, kështu që më gëzon fakti se ai e ka mbajtur premtimin dhe që sot është këtu më ne. Është nder, kënaqësi shumë e madh, sepse po të mos ishte ai unë nuk do t’i kisha arritur këto suksese që i kam sot, jo veç unë por edhe federata jonë. Më gëzon fakti se çmimin si xhudistja më e mirë ka ardhur të ma jep pikërisht në shtetin tim, në Kosovë”, theksoi Kelmendi.

Pas fjalimeve të shumta, i vjen radha të flas mysafirit. Presidenti Vizer tha se ka qenë i impresionuar kur për herë të parë kishte vizituar Kosovën, duke parë kushtet e vështira të sportisteve të Kosovës. Ai tha se pas vizitës që i kishte bërë Kosovës në vitin 2009, tha se kishte vendosur ta njoh Federatën e Xhudos se Kosovës, në radhë të parë nën zotimin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos dhe pastaj si anëtar i plotë i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Ai ka folur edhe për kampionen e botës, Majlinda Kelmendin. Sipas Vizer, Majlinda është sportistë e jashtëzakonshme. Vizer mendon se sukseset e Majlindës dhe trajnerit Driton Kuka, kanë hapur dyert për integrim në komunitetin ndërkombëtar.

“Duke përmendur sukseset e Majlindës, dua veçanërisht të se Majlinda është një sportiste e jashtëzakonshme, njëra nga xhudistet e rralla në botë të llojit të saj, e cila u bë sportistja e cilësisë me të lartë në botën e xhudos për një kohë shumë të shkurtër, i cili është një sport shumë i vështirë që ka një listë të renditjes me kritere shumë të vështira dhe të jesh sportistja me e mirë në sportin tonë, mandej një ndër më të mirat në kategorinë e meshkujve dhe femrave në komitetin tonë dhe ky është një sukses i madh. Kam parë shumë prej jush nuk e keni kuptuar sa puna është bërë dhe sa e vështirë ka qenë për te t’i arritur ato tituj dhe pozita, por unë konsideroj se sukseset e Majlindës dhe trajnerit të saj, Tonit, kanë hapur dyert për sportin e Kosovës për të hyrë dhe njohur nga komitetin ndërkombëtar të sportit dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Mendoj se të gjitha këto arritje mund ta bëjnë vendin e Kosovës krenar dhe kam parë që ky është një fillim i ri jo vetëm për sportin por për të gjithë kombin”, ka theksuar Vizer.

Krejt në fund Vizer i ndau çmimin Majlinda Kelmendit ‘xhudistja më e mirë në të gjitha kategoritë’, çmim ky që kap shifrën 50 mijë dollarë. /KP/Telegrafi/ 

telegrafi sport app