E kaluara "e tmerrshme" e hendbollit kosovar me serbët

Do të luhet mes Kastriotit dhe Radniçkit të Kragujevcit (meshkujt), dhe serbët qysh tash po shikojnë përtej kësaj ndeshjeje.
Federata e Hendbollit e Serbisë (RSS) nuk e llogarit për kundërshtar të denjë të skuadrës nga Kragujevci, Radniçki, Kastriotin e Ferizajt. Në raportin e publikuar në uebfaqen zyrtare të Federatës serbe, thuhet bindshëm se Radniçki në xhiron tjetër të garave të “Challenge Cup” do të takohet me Dobruxhën bullgare, shkruan sot Koha Ditore.
Dhe, rezultatet e deritashme të përballjeve mes skuadrave kosovare dhe atyre serbe mund të jenë një prej arsyeve që Federata serbe ka krijuar këtë bindje.
Nga pesë përballjet e deritashme, dy nuk janë zhvilluar, pasi skuadrat janë tërhequr, ndërkohë që në tri të tjerat skuadrat serbe kanë turpëruar ato të Kosovës duke i mposhtur me rezultat të thellë. Në një rast është tërhequr një skuadër kosovare dhe në një tjetër ajo serbe, duke u vendosur ndeshjet me rezultat zyrtar.
Skuadrat kosovare që nga viti 2005 janë pjesëmarrëse të rregullta në garat evropiane. Por asnjëherë nuk kanë arritur të tregojnë suksese të mëdha. E shumta ishte kalimi i një rrethi në disa raste.
Por, tash kosovarët shpresojnë që gjërat të ndryshojnë për të mirë.





















































