Donis Avdijaj dhe Giacomo Vrioni kanë qenë protagonistë në startin e sezonit të ri në elitën e futbollit austriak, duke ndihmuar Wolfsberger të marrë një fitore bindëse ndaj Austria Wien me rezultat 3-0.

Në ndeshjen e vlefshme për xhiron e parë të kampionatit austriak, Vrioni ishte autor i dy golave, ndërsa Avdijaj regjistroi një asistim dhe pati edhe një gol të anuluar.


Sulmuesi shqiptar e zhbllokoi rezultatin në minutën e 18-të, kur realizoi nga pika e bardhë e penalltisë për epërsinë 1:0 të Wolfsbergerit.

Në fillim të pjesës së dytë, Avdijaj u shfaq në rolin e asistuesit, duke shërbyer për Aaron Schwarz, i cili në minutën e 49-të realizoi për 2:0.

Vrioni vulosi fitoren e skuadrës së tij në minutën e 63-të, duke shënuar sërish nga penalltia dhe duke kompletuar dopietën personale.

Avdijaj, i cili pati një paraqitje shumë aktive në sulm, realizoi edhe një gol në minutën e 21-të, por ai u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.


Të dy futbollistët shqiptarë u zëvendësuan në minutën e 80-të, ndërsa te Austria Vienna në të njëjtën minutë u inkuadrua futbollisti shqiptar Hasan Deshishku.

Me këtë sukses, Wolfsbergeri e nis sezonin e ri në Bundesligën austriake në mënyrën më të mirë, ndërsa Avdijaj dhe Vrioni dhanë menjëherë sinjale pozitive. /Telegrafi/

telegrafi sport app