Dy super yje drejt “Camp Nou”? Barcelona merr sinjale pozitive nga Alvarez dhe Bastoni

Sipas raportimeve nga “Mundo Deportivo”, Barcelona po punon intensivisht për përforcimet e verës, ndërsa dy objektivat kryesorë – Julian Alvarez dhe Alessandro Bastoni – janë të hapur për një transferim në “Camp Nou”.
Sulmuesi i Atletico Madrid, Julian Alvarez, pavarësisht interesimit nga klube si Arsenal dhe Paris Saint-Germain, shihet i intriguar nga ideja për t’iu bashkuar Barcelonës. Argjentinasi po e konsideron largimin gjatë verës dhe besohet se marrëveshja personale nuk do të ishte problem për katalanasit.
Pengesa kryesore mbetet çmimi i lartë i vendosur nga Atletico Madrid, që kërkon rreth 100 milionë euro për kartonin e tij. Forma e Alvarez këtë sezon – me 19 gola dhe 9 asistime në të gjitha garat – e bën atë një kandidat ideal për të qenë pasardhësi afatgjatë i Robert Lewandowski.

Në anën tjetër, në Itali, Alessandro Bastoni po e sheh Barcelonën si destinacionin e tij të preferuar në rast largimi nga Inter Milan. Qendërmbrojtësi italian është i hapur për një kapitull të ri pas periudhës së suksesshme në “San Siro”.
Pas zhgënjimit me Kombëtaren e Italisë dhe dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, Bastoni e konsideron këtë moment si ideal për të bërë hapin e radhës në karrierë.

Mbrojtësi 26-vjeçar është në pritje të sinjalit nga Barcelona dhe është i gatshëm të negociojë me Interin për të ulur çmimin prej rreth 70 milionë eurosh.
Barcelona po e sheh këtë verë si një moment kyç për rindërtimin e skuadrës, duke synuar afrime cilësore si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, ndërsa emrat e Alvarez dhe Bastoni janë në krye të listës së dëshirave./Telegrafi/





















































