Duraku përjashton Feronikelin nga ‘lufta’ për titull

Mesfushori me përvojë i Besës nga Peja, Mensur Duraku deklaroi se kanë pritur më shumë në vjeshtë, mirëpo sipas tij fajtor për këtë është vonesa në komponimin e lojtarëve “Kemi pritur edhe më shumë, por ardhja e disa futbollistëve ka bërë që të mos arrijmë të kompensohemi me kohë. Mirëpo edhe përkundër kësaj ne duhet të jemi të kënaqur”, tha Duraku për ‘Sport Plus’.
Ai beson se me ardhjen e top-shënuesit të ligës dhe transferimin e dy-tre futbollistëve, Besa do të ishte e kompletuar dhe e gatshme për të ‘luftuar’ për titull. “Mendoj që në pranverë do të kompensohemi, pasi kemi kohë të mjaftueshëm për të stërvitur. Me ardhjen e Mark Milicajt është forcuar edhe më shumë skuadra, por ekipit i duhen edhe së paku dy mbrojtës, pasi aty kemi çaluar në vjeshtë. Mirëpo, kryesia është duke punuar në këtë drejtim”, vazhdoi mesfushori i Besës.
Sipas tij, kandidatët kryesorë për titull kampioni janë Besa, Prishtina, Hajvalia dhe 89-shi. “Kandidat kryesor është Prishtina, pasi është përforcuar shumë. Mirëpo, edhe ne kemi bërë hapa të mirë në këtë drejtim, pastaj rivalë tjerë janë edhe Hajvalia dhe Trepça ’89. Sa i përket liderit aktual, Feronikelit, ata duhet të shijojnë këto momente, pasi në pranverë do të zbresin nga vendin i parë”, theksoi Duraku. /Telegrafi/



















































