Pasi kanë arritur marrëveshje me dy ish-lojtarët, Artan Latifi e Armend Kastrati, gjilanasit i janë vënë pas edhe mbrojtësit të djathtë, Përparim Osmani.

‘Laqi’ gjatë stinorit vjeshtor ka bartur fanellën e Trepçës, ndërsa në një prononcim për Telegrafin, ka bërë me dije se është në bisedime me Dritën.


“Jemi në bisedime me Dritën dhe është i mundshëm një rikthim i imi në këtë skuadër. Kam kaluar dy vite të mrekullueshme me atë fanellë dhe e mirëpres një rikthim në stadiumin ‘Selami Osmani-Bezi’”, deklaroi Osmani.

Përveç Dritës, për anësorin e djathtë interesim kanë shprehur edhe katër skuadra të tjera nga elita e futbollit kosovar, porse 25-vjeçari nuk ka dashur t’i zbulojë emrat e tyre.

“Dy skuadra janë në luftë për titull, ndërsa dy të tjera në mesin e tabelës. Por, përparësi ka Drita pasi kam kaluar aty një kohë të paharrueshme, si dhe përkrahja e madhe e tifozëve të tyre, ‘Intelektualëve’, më bëjnë t’i them po Dritës para tjerëve”, shtoi Osmani. /Telegrafi/

telegrafi sport app