Mikesha e ngushtë e Diane Keaton, kompozitorja fituese e Grammy Carole Bayer Sager, ka folur për gjendjen e aktores para se të ndërronte jetë në moshën 79 vjeçe.

“E pashë dy ose tre javë më parë dhe ishte shumë e dobët. Kishte humbur shumë peshë”, tha Sager për revistën People.


Aktorja kaloi pjesën e vitit në Palm Springs pas dëmtimeve që pati shtëpia e saj nga zjarret e janarit në Los Angeles.

Sager e kujton Keaton si një dritë magjike për të gjithë dhe e përshkroi si të lumtur, optimiste dhe gjithmonë krijuese.

Ajo ndau edhe momente nga regjistrimi i këngës së Krishtlindjeve “First Christmas”, ku Keaton u tregua e pasionuar dhe autentike në interpretim.

Sager vlerësoi gjithashtu stilin unik të Keaton, duke përmendur kapelat, xhaketat, pantallonat e gjera dhe rripat që e bënë ikonë të modës.

Keaton nuk u martua kurrë, por la pas dy fëmijë të adoptuar, vajzën Dexter, 29 vjeçe, dhe djalin Duke, 25 vjeç.

Një zëdhënës i familjes konfirmoi se aktorja ndërroi jetë në Kaliforni dhe të afërmit kërkojnë privatësi ndërsa vajtojnë humbjen e saj. /Telegrafi/