Tiemoue Bakayoko po rikthehet përfundimisht te Chelsea, pas huazimit që kaloi te Milani në sezonin që lamë pas, gjersa Rossonerët nuk ishin të gatshëm ta blinin kartonin e tij.

Skuadra italiane pagoi pesë milionë euro për huazimit e mesfushorit francez nga të Kaltrit, mirëpo arriti të shënonte vetëm një gol në 42 paraqitje në San Siro.

Agjenti i tij, Federico Pastorello, ka konfirmuar se Bakayoko po rikthehet në Stamford Bridge, mirëpo ende nuk është bërë e qartë nëse do të qëndrojë në Londër apo do të largohet përsëri.

Tiemoue Bakayoko (Foto: Tullio M. Puglia/Getty Images/Guliver)

The Sun raporton se Chelsea mund ta mbajë Bakayokon në skuadër, duke ditur se janë të dënuar nga FIFA për dy afate, duke shtuar kështu më shumë konkurrencë në mesfushë.

Francezi u transferua tri sezone më parë te skuadra londineze për 45 milionë euro, që ishte transferimi i parë i Antonio Contes, mirëpo kishte dështuar ta tregonte veten.

Maurizio Sarri e dërgoi në huazim te Milani, derisa tani po rikthehet sërish te Chelsea, mirëpo mbetet të shihet nëse do të qëndrojë në Londër apo do të huazohet sërish, por edhe që mund të shitet përfundimisht. /Telegrafi/