BTS është shpallur “Artisti i Vitit” në American Music Awards për të dytin vit radhazi, duke forcuar edhe më shumë statusin e grupit si një nga emrat më të mëdhenj të muzikës globale.

Grupi koreano-jugor triumfoi përballë artistëve si Taylor Swift, Bruno Mars, Bad Bunny dhe Lady Gaga në kategorinë kryesore të ceremonies, shkruan BBC.


Përveç çmimit kryesor, BTS fitoi edhe çmimin “Kënga e Verës” me hitin “SWIM”, ndërsa grupi i labelit të tyre, Katseye, u shpall “Artisti i Ri i Vitit”.

Ndërkohë, “GOLDEN” nga filmi i animuar “K-Pop Demon Hunters” u vlerësua si “Kënga e Vitit”, ndërsa Sabrina Carpenter fitoi çmimin për “Albumin e Vitit”.

Fituesit e AMA-ve zgjidhen tërësisht nga publiku, çka e bën mbështetjen e fansave vendimtare. BTS vazhdon të mbështetet fuqishëm nga fandom-i i tyre i njohur si “ARMY”, i cili numëron miliona fansa në mbarë botën dhe konsiderohet një nga komunitetet më aktive në industrinë muzikore.

“ARMY, ia dolëm sërish!”, u shpreh lideri i grupit, RM, gjatë fjalimit të pranimit. Ai falënderoi fansat për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa anëtarët e tjerë shprehën mirënjohjen për suksesin e albumit të tyre të fundit “Arirang”.

Pas rikthimit në mars, pas një pauze disa-vjeçare për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, BTS ka nisur një turne botëror që raportohet se ka gjeneruar mbi 1 miliard dollarë.

Turneu do të përmbyllet në Korenë e Jugut me koncerte speciale në Busan, në kuadër të 13-vjetorit të debutimit të grupit. /Telegrafi/