Barcelona po shqyrton mundësinë e largimit të mbrojtësit francez Jules Kounde gjatë afatit kalimtar veror, në mënyrë që të sigurojë fonde për përforcime të reja në repartin ofensiv.

Drejtuesit katalanas synojnë transferime të mëdha këtë verë, me disa objektiva që mund të kushtojnë deri në 100 milionë euro, ndaj shitja e disa lojtarëve me vlerë të lartë në treg po konsiderohet si zgjidhje për të balancuar financat.


Edhe pse Kounde mbetet një lojtar i rëndësishëm për skuadrën, forma dhe situata e tij në javët e fundit kanë bërë që klubi të mos e konsiderojë të paprekshëm.

Francezi ka humbur vendin e titullarit në disa ndeshje të fundit dhe vazhdon të ketë interesim të madh nga klubet evropiane. Barcelona nuk do të kërkojë aktivisht largimin e tij, por është e gatshme të dëgjojë oferta të konsiderueshme financiare.

Në rast të largimit të 27-vjeçarit, prioriteti i Barcelonës për ta zëvendësuar do të ishte Denzel Dumfries i Interit.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, mbrojtësi holandez dëshiron të largohet nga Interi këtë verë dhe përfaqësuesit e tij tashmë kanë zhvilluar kontakte me Barcelonën.

Raportohet se drejtori sportiv Deco ka pasur një takim me agjentët e lojtarit, ndërsa interes për Dumfries ka shfaqur edhe Liverpooli.

Barcelona i ka bërë të qartë lojtarit se transferimi i tij varet drejtpërdrejt nga e ardhmja e Kounde.

Dumfries ka kontratë me Interin edhe për dy vite, por posedon një klauzolë largimi prej 25 milionë eurosh, e vlefshme deri më 31 korrik. Vendimi përfundimtar pritet të merret pas përfundimit të angazhimeve të tij në Kupën e Botës. /Telegrafi/

telegrafi sport app