Julian Alvarez refuzon super ofertën e Atletico Madridit për rinovimin e kontratës

Julian Alvarez është gjithnjë e më pranë largimit nga Atletico Madrid, pasi sulmuesi argjentinas ka refuzuar ofertën për rinovim që klubi madrilen i kishte paraqitur.
Propozimi i “Los Colchoneros” arrinte në 10 milionë euro neto në sezon, por kjo nuk ka mjaftuar për ta bindur kampionin e botës që të vazhdojë në “Metropolitano”.
Situata e Alvarezit ka tërhequr menjëherë vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane. Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Arsenali po monitorojnë me kujdes zhvillimet, duke e parë argjentinasin si një përforcim ideal për repartin ofensiv.

Në Madrid, ky zhvillim konsiderohet një goditje e rëndë, pasi drejtuesit e klubit e shihnin Julian Alvarezin si figurën kryesore mbi të cilën do të ndërtohej projekti i ri sportiv.
Ideja ishte që sulmuesi të merrte rol qendror në skuadër dhe të bëhej lideri i repartit ofensiv falë lëvizshmërisë, instinktit për gol dhe eksperiencës në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Oferta për rinovim ishte një sinjal i qartë i besimit të klubit ndaj lojtarit, duke qenë se shifra prej 10 milionë eurosh në sezon do ta vendoste Alvarezin mes futbollistëve më të paguar në skuadër.
Megjithatë, refuzimi i tij ka ndryshuar plotësisht situatën dhe ka shtuar bindjen se largimi gjatë verës është një skenar shumë i mundshëm.
Sipas raportimeve, vendimi i lojtarit nuk lidhet vetëm me aspektin financiar, por më shumë me ambiciet sportive.
Argjentinasi dëshiron të jetë pjesë e një projekti që lufton çdo sezon për trofetë më të mëdhenj dhe që i garanton një rol në skenën më elitare të futbollit evropian.
Në rast të një transferimi, çmimi i kartonit të tij pritet të jetë shumë i lartë. Atletico nuk ka ndërmend ta shesë lehtë një lojtar të profilit të Alvarezit, i cili është kampion bote dhe një nga sulmuesit më të kërkuar në tregun evropian.
Për Barcelona, operacioni mbetet i komplikuar për shkak të situatës financiare dhe marrëdhënieve direkte mes dy rivalëve në La Liga. Ndërkohë, Paris Saint-Germain shihet si favoriti më i fortë nga ana ekonomike, pasi klubi francez është i gatshëm të investojë fuqishëm për të forcuar sulmin.
Nëse transferimi realizohet, largimi i Julian Alvarezit pritet të jetë një nga operacionet më të mëdha të afatit kalimtar dhe do ta detyrojë Atletico Madrid të rindërtojë një pjesë të rëndësishme të skuadrës. /Telegrafi/












































