Zbulohet arsyeja pse Atletico po mendon shitjen e Julian Alvarezit

Sulmuesi i Atletico Madridit, Julian Alvarez, vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur në futbollin spanjoll gjatë muajve të fundit, teksa e ardhmja e tij për sezonin e ardhshëm mbetet ende e paqartë.
Edhe pse drejtuesit e klubit madrilen vazhdojnë të mohojnë çdo mundësi për shitjen e argjentinasit, zërat për një largim të mundshëm po shtohen gjithnjë e më shumë.
Situata është ndezur edhe më tepër pas deklaratave të vetë Alvarezit, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e një transferimi.
Barcelona vazhdon të monitorojë nga afër situatën e sulmuesit, ndërsa interesim kanë shfaqur gjithashtu edhe Paris Saint-Germain dhe Arsenali.

Madje, sipas raportimeve, tashmë kanë nisur kontaktet jozyrtare me përfaqësuesit e lojtarit për të kuptuar mundësinë e një oferte konkrete.
Pavarësisht se në pamje të parë duket e vështirë që Atletico të pranojë largimin e një prej yjeve kryesorë të skuadrës, ekzistojnë disa faktorë që mund ta shtyjnë drejtorin sportiv Mateu Alemany të marrë në konsideratë shitjen e tij.
Raportet e fundit në Spanjë sugjerojnë se marrëdhënia mes Alvarezit dhe trajnerit Diego Simeone nuk ka qenë gjithmonë ideale, ndërsa sulmuesi pati vështirësi për të ruajtur vazhdimësinë në paraqitjet e tij në La Liga gjatë sezonit.
Megjithatë, arsyeja kryesore lidhet me aspektin financiar, sipas Cadena SER, Alemany është i vetëdijshëm se ardhja e pronarëve të rinj shumicë, Apollo Sports Capital, nuk do të sjellë investime të mëdha në afaton kalimtar.
Për më tepër, kufizimet financiare të vendosura nga rregullat e La Ligës për pagat e lojtarëve e bëjnë të vështirë një revolucion të madh në skuadër pa realizuar shitje të rëndësishme.
Në këtë situatë, shitja e Alvarezit shihet si mënyra më e shpejtë për të siguruar fonde dhe për të vazhduar rindërtimin e ekipit. Edhe Simeone vetë, i pyetur nga Marca nëse pret investime të mëdha këtë verë, u përgjigj shkurt: “Jo, nuk besoj”.
Ndërkohë, një nga emrat që lidhet fort me Atleticon është mesfushori i Manchester City, Bernardo Silva, i cili raportohet se mund të transferohet si lojtar i lirë. Madje, sipas mediave spanjolle, bisedimet mes palëve tashmë kanë nisur.
I pyetur për Bernardon, Alemany u përgjigj me një buzëqeshje për “Marca”: “Është një lojtar shumë i mirë, pa asnjë dyshim”.
Portugezi mund të jetë një nga emrat e parë të mëdhenj që do t’i bashkohet Atleticos këtë verë, pavarësisht largimeve që mund të ndodhin në skuadër. /Telegrafi/












































