LAJMI I FUNDIT:

Barcelona demolon Eibarin, Messi me “poker golash” paralajmëron Realin para El Clasicos

Barcelona demolon Eibarin, Messi me “poker golash” paralajmëron Realin para El Clasicos
Barcelona - Eibar (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Barcelona ka fituar me rezultat të thellë 5-0 ndaj Eibarit në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në La Liga.

Katalunasit kanë vazhduar serinë pozitive në kampionat, duke marr fitoren e katër radhazi dhe duke rikthyer përkohësisht pozitën e parë.


Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët përveç rasteve shënuan edhe tri gola, ku të tria erdhën nga Lionel Messi.

Ylli argjentinasi ishte i papërmbajtshëm në minutën e 14-të duke shënuar gol të bukur për 1-0, pasi më parë kishte dribluar një kundërshtar.

Messi u shfaq përsëri në minutën e 37-të duke shënuar për 2-0, ndërsa në minutën e 40-të kompletoi het-trikun duke quar epërsinë në 3-0.

Në pjesën e dytë, përsëri katalunasit ishin më të mirë duke menaxhuar mirë lojën dhe duke krijuar raste dhe shënuar gola.

Barcelona shënoi dy herë në këtë pjesë me anë të Clement Lenglet (76’) dhe Arturo Vidal (82’), por të dyja u anuluan për pozitë jashtë loje.

Në këtë pjesë gjithashtu debutoi transferimi i ditëve të fundit, Martin Braithwaite, i cili u inkuadrua në vend të Antoine Griezmann në minutën e 72-të, ndërsa në minutën e 87-të asistoi për Messin, i cili shënoi golin e katërt personal për 4-0.

Një minutë para fundit, Braithwaite përsëri bëri një depërtim të mirë dhe goditi bukur, por u ndal nga portieri dhe nga topi i rikthyer ishte Arthur, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 5-0.

Pas kësaj fitore, Barcelona e sheh veten në pozitën e parë me 55 pikë apo dy më shumë se Reali i dyti me një ndeshje më pak, ndërsa Eibar renditet i 16-ti me 24 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Blaugranët udhëtojnë te Reali për El Clasicon e radhës, ndërsa Eibari e pret Levanten. /Telegrafi/