eksperti ad

Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar veror, me Fiorentinën që ka dalë si një nga skuadrat më të interesuara për transferimin e anësorit.

Ylli i Kosovës, i cili mban edhe shtetësinë shqiptare, iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga Lille me pritshmëri të mëdha, por nuk arriti të lërë gjurmën e pritur në sezonin e tij të parë në Serie A.


Sipas La Nazione, përmes CalcioMercato.it, largimi i 27-vjeçarit nga Torino duket gjithnjë e më i mundshëm.

Raportohet se Fiorentina po e monitoron nga afër situatën e Zhegrovës dhe së shpejti mund të paraqesë ofertën e parë zyrtare për kartonin e tij.

Juventusi pagoi rreth 15 milionë euro për transferimin e kosovarit, ndërsa ai ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2030, me një pagë neto prej 2.5 milionë eurosh në sezon, shifër që konsiderohet e përballueshme për Fiorentinën.

Ky aspekt financiar shihet si një faktor kyç që mund ta bëjë të realizueshëm transferimin, ndërsa raportimet bëjnë të ditur se klubi vjollcë është i gatshëm të intensifikojë bisedimet dhe të testojë vendosmërinë e Juventusit në ditët në vijim.

Për "Zonjën e Vjetër", shitja e Zhegrovës do të ishte një mundësi për të riformuar repartin ofensiv, ndërsa Fiorentina beson se mund ta rikthejë në formën që e bëri një nga lojtarët më të spikatur të Ligue 1 gjatë kohës së tij te Lille./Telegrafi/

telegrafi sport app