Klubi i Serie A ka marrëveshje me Albion Rrahmanin – tani pritet vetëm Sparta Praga


Venezia është gjithnjë e më afër një goditjeje të rëndësishme në afatin kalimtar veror, pasi klubi italian po punon intensivisht për të siguruar shërbimet e sulmuesit Albion Rrahmani.
Sipas raportimeve, marrëveshja me lojtarin është tashmë e arritur, ndërsa mbeten vetëm detajet për t’u finalizuar me klubin e tij aktual, Sparta Praga.
Operacioni pritet të mbyllet brenda 48 orëve të ardhshme dhe vlera e transferimit llogaritet rreth 7 milionë euro.

Rrahmani shihet si përforcimi i parë ofensiv për ekipin e Giovanni Stroppas, ndërsa Venezia vazhdon të jetë shumë aktiv në këtë afat kalimtar, pas disa afrimeve dhe lëvizjeve të tjera në skuadër.
Sulmuesi kosovar, i lindur në vitin 2000, ka bërë një rrugëtim të rëndësishëm në karrierë, duke u afirmuar fillimisht në futbollin e Kosovës me Ballkanin, ku u shpall edhe golashënues dhe u dallua në garat evropiane.
Më pas ai kaloi te Rapid Bukureshti dhe së fundmi te Sparta Praga, ku vazhdoi të tregojë potencialin e tij si një nga sulmuesit më premtues të rajonit.

Nëse marrëveshja finalizohet, Rrahmani pritet të jetë një nga emrat kryesorë në repartin ofensiv të Venezia-s për sezonin e ri. /Telegrafi/






































