Asnjë nga tetë ndeshjet e para të Botërorit 2026 nuk nisi në kohë, çfarë po ndodh?


Tetë ndeshjet e para të Kupës së Botës 2026 kanë pasur një element të përbashkët: asnjëra nuk ka nisur në orarin e paraparë.
Sipas të dhënave të deritanishme, çdo ndeshje e zhvilluar në ditët e para të turneut ka pësuar vonesa, me një mesatare prej rreth tre minutash për takim.
Vonesa më e madhe u regjistrua në ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e cila nisi gjashtë minuta më vonë se orari zyrtar.
Ndërkohë, përballja mes Katarit dhe Zvicrës u vonua afro pesë minuta. Vetëm ndeshjet Koreja e Jugut – Çekia dhe Australia – Turqia nisën me më pak se një minutë vonesë.

Ceremonitë para ndeshjeve po shkaktojnë vonesat
Edhe pse vonesat prej një ose dy minutash mund të duken të parëndësishme, ato përbëjnë një problem për FIFA-n, e cila zakonisht planifikon çdo detaj të organizimit me saktësi të madhe.
Për çdo ndeshje ekziston një protokoll i detajuar që përcakton momentin kur skuadrat dhe gjyqtarët duhet të mblidhen në tunel, kohën e daljes në fushë dhe nisjen e himneve kombëtare. Këto afate janë veçanërisht të rëndësishme për transmetuesit televizivë, të cilët planifikojnë programacionin dhe reklamat sipas minutazhit të përcaktuar.
Në disa raste, skuadrat nuk kanë qenë gati në kohën e parashikuar për të dalë në fushë, duke krijuar efekt zinxhir dhe shtyrë fillimin e ndeshjeve.
Big game in Philly. 👊
Find out where to watch!#FIFAWorldCup
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) June 14, 2026
FIFA mund të ketë nënvlerësuar kohën e nevojshme
Një nga arsyet kryesore të vonesave duket të jetë formati i ri ceremonial që FIFA ka vendosur para fillimit të ndeshjeve. Tani, gjatë himneve kombëtare, në qendër të fushës pozicionohet e gjithë skuadra dhe jo vetëm formacioni titullar, ndërsa në të dyja anët e fushës shpalosen flamuj gjigantë.
Sipas FIFA-s, ky format synon të krijojë “një moment uniteti, krenarie dhe emocionesh”, por në të njëjtën kohë ka shtuar kompleksitetin organizativ para fillimit të takimeve.
Kicking off in style ✨#FIFAWorldCup pic.twitter.com/7UYKWShmLP
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) June 13, 2026
Organizatorët shpresojnë që procesi të bëhet më i rrjedhshëm me kalimin e ditëve, ndërsa ekipet, gjyqtarët dhe stafet organizative të përshtaten me rutinën e re. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që FIFA të ketë nënvlerësuar kohën e nevojshme për zhvillimin e ceremonive para ndeshjeve.
Pavarësisht vonesave, turneu ka nisur me interesim të madh nga tifozët, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ndeshjet e ardhshme do të zhvillohen sipas orarit apo ky trend do të vazhdojë edhe në javët në vijim. /Telegrafi/






































