Arsenali po përgatit një afat kalimtar të jashtëzakonshëm për sezonin e ardhshëm, teksa kampionët aktualë të Ligës Premier synojnë të realizojnë dy transferime të mëdha në repartin ofensiv.

Klubi londinez raportohet se ka vënë në dispozicion rreth 200 milionë euro për të afruar talentin francez Eli Junior Kroupi dhe yllin e Aston Villas, Morgan Rogers.


Sipas raportimeve të talkSPORT, trajneri Mikel Arteta e sheh Morgan Rogers si prioritet absolut për sulmin.

“Topçinjtë” janë të gatshëm të ofrojnë mbi 100 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit anglez, me qëllim që të mposhtin konkurrencën e fortë nga Manchester United dhe Paris Saint-Germaini i Luis Enriques.

Rogers ka shkëlqyer në sezonet e fundit me Aston Villën, duke regjistruar 31 gola dhe 29 asistime që prej shpërthimit të tij në elitë.

Arsenali beson se profili i tij, i kombinuar me fleksibilitetin taktik dhe kreativitetin në fazën sulmuese, do t’i japë skuadrës një dimension të ri në garën për trofe.

Në të njëjtën kohë, londinezët po punojnë edhe për transferimin e Eli Junior Kroupi, sulmuesit të talentuar që ka spikatur me Bournemouthin.

Francezi 19-vjeçar realizoi 13 gola këtë sezon dhe ishte një nga protagonistët kryesorë në kualifikimin historik të ekipit të Andoni Iraolës në Evropë.

Bournemouth, megjithatë, nuk dëshiron të heqë dorë lehtë nga një prej talenteve më premtuese të klubit.

Për të ruajtur balancat financiare, Arsenali pritet të zhvillojë edhe një operacion të madh largimesh gjatë verës. Emra si Gabriel Martinelli, Gabriel Jesus dhe Riccardo Calafiori përmenden si kandidatë potencialë për t’u larguar, në mënyrë që klubi të krijojë hapësira financiare për afrimet e reja.

Drejtuesit e Arsenalit janë të vendosur të përfundojnë sa më shpejt negociatat për të shmangur rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

Klubi londinez synon të dominojë afatin kalimtar veror dhe të ndërtojë një skuadër edhe më konkurruese për sezonin e ardhshëm, me objektivin e qartë për të mbrojtur titullin e Ligës Premier dhe për të rivalizuar në arenën evropiane. /Telegrafi/

telegrafi sport app