Aktori amerikan shpallet fajtor për tentativë vrasjeje të ish-të dashurës, e goditi 20 herë me thikë
Aktori amerikan, Nick Pasqual, është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje pas një sulmi brutal ndaj të dashurës së tij dy vjet më parë.
Siç raportohet nga mediat e huaja, vendimi u dha të premten dhe aktori 36-vjeçar përballet me burgim të përjetshëm.
Pasqual, përveç tentativës së vrasjes, u shpall fajtor edhe për vjedhje të shkallës së parë në prani të një personi tjetër si dhe për shkaktimin e lëndimeve ndaj partneres së tij.

Sipas gjyqit, Pasqual hyri me forcë në shtëpinë e ish-të dashurës së tij Allie Shehorn në maj 2024 dhe e goditi me thikë 20 herë gjatë një sulmi brutal, pas të cilit ai iku nga vendi i ngjarjes dhe u përpoq të shkonte në Meksikë.
Në kohën e sulmit, kundër tij ishte lëshuar një urdhër ndalimi për shkak të një incidenti në janar të të njëjtit vit, i cili përfshinte goditjen e tij me rrip, si dhe abuzim të dyshuar seksual në prill.
Pasqual u arrestua më vonë në Teksas dhe u kthye në Kaliforni për t'u përballur me akuzat.
Gjatë dëshmisë së saj në gjykatë, Shehorn, e cila punonte si grimere në projekte filmike, përshkroi momentet e sulmit.

Në vitin 2024, Shehorn deklaroi se shpresonte që drejtësia të vihej në vend.
"Njerëzit duhet ta dinë se kjo nuk duhej të kishte ndodhur dhe se ai nuk mund t'i shpëtojë paq", tha ajo në atë kohë, duke premtuar se do të merrte pjesë në çdo seancë dëgjimore.

Në intervistë, ajo deklaroi se po përballet me dëmtime të përhershme pas sulmit.
Ajo shprehu shpresën se do të kthehet në punë pavarësisht dëmtimeve në duar dhe shikim.
Pasqual ka luajtur në projekte të shumta si "How I Met Your Mother", "American Gangster: Trap Queens", "High Mystery" dhe "Archive 81". /Telegrafi/







































