LAJMI I FUNDIT:

Abazaj: Asgjë nuk vjen falas, pas Anderlechtit dua Milanin

Abazaj: Asgjë nuk vjen falas, pas Anderlechtit dua Milanin

Kristal Abazaj ka folur për shumë gjëra pas transferimit të tij befasues nga Luftëtari te gjiganti belg, Anderlechti.

Është njeriu i momentit në futbollin shqiptar, Kristali i Kategorisë Superiore. Me transferimin e tij drejt Anderlechtit, Abazaj është pa diskutim lajmi i ditës, pasi një transferim i tillë i mungonte futbollit shqiptar.


Zyrtare: Kristal Abazaj kalon te Anderlechti
Lexo po ashtu Zyrtare: Kristal Abazaj kalon te Anderlechti

Në verë numri 7 i Luftëtarit do të festojë 22-vjetorin e lindjes në tokën belge në fazën përgatitore me klubin më të rëndësishëm, Anderlechtin. Një realitet tjetër të cilin vetë Kristali ende nuk beson se po e përjeton.

“Është diçka tjetër. Në fillim nuk më besohej se ku po shkoja. Kur bëra vizitat mjekësore e kuptova ku isha. Është një Real Madrid i dytë”, ka thënë fillimisht Abazaj.

Një kapërcim i tillë në karrierë është arritje e madhe, pasi bëhet fjalë për një skuadër me emër në Evropë, që ka fituar dy Kupa të Kupave, një Kupë Uefa dhe një Superkupë Evrope. Megjithatë Anderlechti nuk është një pikëmbërritje për Abazajn, i cili është rritur duke shijuar Kakan te Milani dhe Cristiano Ronaldon te Reali i Madridit. Të ëndërrosh është falas.

“Është një pikënisje, pasi do të jetë një trampolinë për të shkuar më tej. Jam tifoz i Milanit dhe i Realit të Madridit dhe në këto momente shoh që ndoshta mund të arrij te Milani”.

Pesë shitjet e bujshme që i ka bërë Skënderbeu, tre prej tyre nga Kosova
Lexo po ashtu Pesë shitjet e bujshme që i ka bërë Skënderbeu, tre prej tyre nga Kosova

Ëndrra më e madhe për Abazajn janë ngjyrat kuqezi, por ato të kombëtares, një ëndërr që duket shumë pranë realizimit.

“Ëndrra ime ka qenë Kombëtarja, jam grumbulluar, por kur të debutoj do të them që ëndrra është bërë realitet”.

Në jetë asgjë nuk të dhurohet dhe mbi të gjitha kjo vlen në futboll. Për të arritur në majë duhet shumë punë, kjo është receta e Kristalit për të rinjtë që synojnë të ecin sa më lart në karrierë.

“Këshilla ime është të punojnë sa më shumë. Do t’u thonë një herë, dy herë që nuk bëjnë, por me besim mund të arrijnë gjithçka. Disa trajnerë nuk më kanë vlerësuar, por kjo më bëri më të fortë. Kam vuajtur për të arritur deri këtu, nuk e kam pasur rrugën të shtruar”.

Anderlechti pagoi te Skënderbeu 750 mijë euro për Kristal Abazajn
Lexo po ashtu Anderlechti pagoi te Skënderbeu 750 mijë euro për Kristal Abazajn

Urimet për këtë transferim kanë qenë të shumta, por Abazaj veçon njërin prej tyre.

“Urimi i Liçajt ishte më i veçanti, – “ia hodhe fukarallëkut”, –  më tha. Si gjithmonë, Liçaj me komentet e tij pikante”.

Anderlechti i përket të ardhmes, ndërsa e tashmja është Luftëtari, skuadër që lufton për të arritur Evropën. Abazaj ulet me këmbë në tokë duke u përqendruar për një mbyllje sa më të mirë të sezonit.

“Këto 7 ndeshje janë finale, jam i përqendruar për të arritur Evropën me Luftëtarin”, përfundoi ylli shqiptar. /Supersport/