Ron Raçi, prej më të mirëve te Hajduku sipas tifozëve në ndeshjen që i dërgoi në Ligën e Konferencës

Ron Raçi ka qenë një nga protagonistët kryesorë të fitores historike të Hajdukut ndaj Rakowit, që i siguroi skuadrës kroate kualifikimin në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.
Mbrojtësi kosovar u vlerësua nga tifozët e Hajdukut si lojtari i dytë më i mirë i ndeshjes, pas paraqitjes së tij në triumfin dramatik të skuadrës nga Spliti.
Hajduku siguroi kualifikimin në garën evropiane pasi e mposhti Rakowin me rezultat 3-2 pas vazhdimeve, në ndeshjen e kthimit të play-offit.
Pas dy ndeshjeve, rezultati i përgjithshëm ishte 5-4 në favor të Hajdukut, duke i dhënë skuadrës kroate një sukses të madh dhe rikthimin në fazën e ligës së një gare evropiane.

Raçi shënoi që në minutën e parë
Ron Raçi dha kontribut të madh në këtë fitore, duke realizuar një gol që në minutën e parë të ndeshjes.
Mbrojtësi kosovar u vlerësua me notën 4.2 nga tifozët e Hajdukut, duke u renditur pas vetëm Rokas Pukštas, i cili u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes me notën 4.5.

Pukštas ishte gjithashtu hero i takimit, pasi shënoi golin vendimtar të fitores në ndeshjen që njëkohësisht ishte edhe paraqitja e tij e fundit me Hajdukun, përpara transferimit drejt Middlesbrough.
Në mesin e golashënuesve të Hajdukut ishte edhe Michele Šego, i cili u vlerësua me notën 4.0, ndërsa të njëjtën notë e mori edhe trajneri Gonzalo Garcia.
Për Raçin, kjo ishte një paraqitje për t’u mbajtur mend, pasi jo vetëm që ndihmoi Hajdukun të siguronte një kualifikim të madh në Evropë, por edhe u vlerësua nga tifozët si një nga figurat kryesore të ndeshjes që i dërgoi kroatët në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.










































