LAJMI I FUNDIT:

Arbër Zeneli: E ndjeva në zemër se duhej ta zgjidhja Kosovën, duam të luajmë për të gjithë njerëzit që kanë përjetuar aq shumë

Arbër Zeneli: E ndjeva në zemër se duhej ta zgjidhja Kosovën, duam të luajmë për të gjithë njerëzit që kanë përjetuar aq shumë

Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, Arber Zeneli ka vënë në fokus arritjet e mëdha të Përfaqësueses së Kosovës, e cila e mbyll vitin 2018 pa asnjë humbje dhe me suksese të shumta. 

Kanë kaluar më pak se tre vite prej se Kosova është bërë anëtarja e 210 e FIFA-s dhe tashmë ka triumfuar në Ligën e Kombeve duke e kryesuar Grupin D, ndërsa duket se trajektorja e suksesit do të vazhdojë të ngritet.


“Ka qenë një vit fantastik për ne si një vend i ri. Nuk kemi pritur se do ta kalonim vitin pa humbje duke i pasur parasysh ndeshjet që i kemi zhvilluar”, ka thënë për FIFA.com anësori talentuar, i cili luan te Heerenveeni në Holandë.

“Liga e Kombeve ka qenë padyshim arritja më e madhe. Deshëm ta fitonim grupin, ndërsa ndeshja e fundit ishte me një rezultat fantastik për vendin tonë”, ka shtuar 23-vjeçari.

Lajmet për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll
Lexo po ashtu Lajmet për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll

Me het-trikun sensacional që e shënoi në fitoren ndaj Azerbajxhanit (4-0) para një atmosfere mahnitëse të krijuar nga tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri”, Zeneli tregoi pse është njëri prej lojtarëve më të pëlqyer në Eredivisie këtë sezon.

Vetëm futbollisti i Feyenoordit, Steven Berghuis, ka më shumë asistime se futbollisti i Kosovës, i cili luan kryesisht në krahun e majtë, depërton në qendër dhe shkakton telashe për ekipet kundërshtare. Nuk është befasi që Cristiano Ronaldo dhe Kaka janë dy idhujt e tij.

Ndërsa ngritjen e tij individuale, Zeneli e ka lidhur me atë të vendit të tij që zë vendin e 131-të në listën e FIFA-s duke u ngritur plot 47 vende që nga muaji janar.

I lindur në Suedi dhe më i madhi nga tre vëllezërit e tij, futbolli ka një ndikim të madh në familjen Zeneli. Edhe pse ishte angazhuar në grupmoshat e Suedisë deri në moshën 15 vjeçare, Arbri kishte mendime të ndara kur vendi nga vinin prindërit e tij e ftoi.

Zeneli shënoi het-trik ndaj Azerbajxhanit (Foto: Telegrafi)

“Vërtet nuk e dija se çfarë doja në atë kohë, kurse pas një kohe mendova se ishte vendimi i duhur (t’i bashkohesha Kosovës). E ndjeva në zemër dhe veprova. Asgjë deri më tani nuk më ka bërë të mendoj se kam marr vendim të gabuar”, ka thënë golashënuesi më i mirë i Përfaqësueses deri më tani, me gjashtë gola.

Lajmet për Arbër Zenelin
Lexo po ashtu Lajmet për Arbër Zenelin

Edhe pse debutimi i tij nuk ishte më i miri (në humbje prej 6-0 nga Kroacia në kualifikimet për Kampionatin Botëror), ai është i mbushur me krenari kurdo që e vesh fanellën e vendit dhe është shumë i gëzuar me arritjen e deritanishme të Kosovës.

Momentet  e para historike të Kosovës

Momentet e rëndësishme të Kosovës (Foto: fifa.com)

Kosova u bë anëtare e FIFA-s me të drejta të plota

“Kur u pranuam nga FIFA, unë nuk isha një refugjat, por prindërit e mi ishin dhe ne ndjemë gëzim, por edhe pikëllim, sepse kemi përjetuar shumë gjëra. Dëshiron të luash për të gjithë njerëzit që kanë përjetuar aq shumë”.

Ndeshja e parë zyrtare ndaj Ishujve Faroe

“Kur e dëgjon himnin kombëtar për herë të parë dhe të gjithë qëndrojnë bashkë dhe e dëgjojnë himnin, ishte një moment shumë i madh për ne”.

Ndeshja e parë kualifikuese për një Kampionat Botëror ndaj Finlandës

“Shansi për të luajtur në kualifikimet për një Kampionat Botëror ishte një përvojë e shkëlqyer duke u ndeshur me këta skuadra të mira – porse padyshim se ishim në një grup të vështirë”.

Kosova e kryesoi grupin në Ligën e Kombeve (Foto: Telegrafi)

Fitorja e parë në një ndeshje konkurruese kundër Ishujve Faroe

“Ishte një moment i veçantë për ne, sepse presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (Fadil Vokrri) kishte vdekur një muaj më parë. Ai ishte njeriu që e bëri të mundur. Ne do t’i jemi gjithmonë falënderues”.

Triumfi i grupit në Ligën e Kombeve

“Ishte një mbrëmje e çmendur. Azerbajxhani pritej të fitonte dhe ta merrte vendin e parë në grup, por ne dolëm në fushë me një plan dhe bëmë një punë të shkëlqyer”.

Tash e gjithë vëmendja është në vitin 2019 dhe testimi ndaj disa prej më të mirëve të kontinentit, ndërkohë që fushata e dytë kualifikuese është rrugëtimi drejt ‘Euro 2020’, derisa Anglia dhe Republika Çeke janë ndër kundërshtarët në grupin e Kosovës.

“E dimë se e kemi vendin e ‘play-off-it’ në kuadër të Ligës së Kombeve, mirëpo kjo nuk do të thotë se do të jemi shpërfillës gjatë kualifikimeve. Pse të mos e marrim biletën tonë atje nëse mundemi! Nuk do të luajmë më gjysmë zemre. Nuk kemi asgjë për të humbur. Nëse nuk kemi sukses, atëherë i kemi dy ndeshje ku mund ta përmirësojmë. Do të jetë një vit shumë interesant”, ka thënë Arbër Zeneli. /Telegrafi/