eksperti-banner

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka mësuar kundërshtarin e saj në raundin e parë të playoff-it për kualifikim në Kupën e Botës 2027, e cila do të zhvillohet në Brazil.

“Dardanet” do të përballen me Austrinë në një duel tejet të rëndësishëm, ku synimi do të jetë vazhdimi i rrugëtimit drejt paraqitjes historike në Botëror.


Ndeshja e parë do të zhvillohet më 7 tetor, ndërsa takimi i kthimit është paraparë për 13 tetor.

Nëse arrijnë ta eliminojnë Austrinë, futbollistet kosovare do të avancojnë në raundin e dytë të plejofit, ku do të ndeshen me fituesin e përballjes mes Izraelit dhe Zvicrës.

Takimet e këtij raundi janë planifikuar të zhvillohen më 26 nëntor dhe 5 dhjetor.

Kosova e siguroi pjesëmarrjen në plejof falë paraqitjeve shumë të mira në Ligën C të Ligës së Kombeve.

‘Dardanet’ e mbyllën Grupin 2 në vendin e parë me 15 pikë, aq sa grumbulloi edhe Kroacia, por me goldallim më të mirë.

Falë këtij suksesi, Kosova jo vetëm që siguroi një vend në playoff-in e Botërorit, por edhe promovimin në Ligën B, duke vazhduar ngritjen e saj në arenën ndërkombëtare.

Tani para futbollisteve kosovare qëndron sfida e madhe ndaj Austrisë, me ëndrrën për të bërë një tjetër hap drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës 2027./Telegrafi/

telegrafi sport app