Ylli i PSG-së refuzon interesimin nga Real Madridi, vendos të nënshkruajë kontratë të re


Fabian Ruiz ka vendosur ta lidhë të ardhmen e tij afatgjatë me Paris Saint-Germain, duke nënshkruar një kontratë të re me klubin francez.
Mesfushori i kombëtares së Spanjës ka refuzuar interesimin serioz nga Real Madrid dhe Bayern Munich për të qëndruar në Paris, ku ka kaluar një periudhë shumë të suksesshme, duke fituar trofe radhazi në Francë dhe në Evropë.
Ruiz pritej të hynte në vitin e fundit të kontratës së tij aktuale, gjë që kishte zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë. Megjithatë, sipas mediumit francez RMC Sport, PSG-ja ka siguruar vazhdimësinë e mesfushorit, i cili iu bashkua klubit nga Napoli në vitin 2022 për 22.5 milionë euro.
Gazetari Fabrice Hawkins ka bërë të ditur se Ruiz tashmë ka pranuar një kontratë të re njëvjeçare, me opsion për zgjatje edhe për 12 muaj të tjerë.

Para arritjes së kësaj marrëveshjeje, mungesa e një konfirmimi zyrtar kishte nxitur spekulime të shumta për të ardhmen e tij.
Mediat spanjolle raportonin gjerësisht se Real Madridi e shihte Ruizin si zgjidhjen ideale për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Toni Kroos, ndërsa Bayern Munich po përgatiste një ofertë më të ulët se 40 milionë euro.
Të dy klubet e vlerësonin përvojën dhe cilësitë e mesfushorit spanjoll, i cili numëron dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe katër tituj kampion me PSG-në.
30-vjeçari është shndërruar në një nga lojtarët kyç në skemat taktike të trajnerit Luis Enrique.
Vetëm sezonin e kaluar, Ruiz zhvilloi 34 paraqitje në të gjitha garat, prej tyre 20 në Ligue 1 dhe nëntë në fushatën triumfuese të PSG-së në Ligën e Kampionëve, duke konfirmuar rëndësinë e tij në skuadrën parisiene./Telegrafi/











































