Ylli i madh mbyll derën për ofertat, dëshiron të qëndrojë te Real Madridi

Federico Valverde nuk ka ndërmend të largohet nga Real Madridi gjatë këtij afati kalimtar, pavarësisht interesimit të disa klubeve të huaja.
Mesfushori uruguaian vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj Real Madridit dhe nuk dëshiron të diskutojë për një largim nga klubi spanjoll.

Sipas një raportimi të gazetës spanjolle Marca, në orët e fundit në zyrat e Real Madridit kanë mbërritur disa kërkesa zyrtare dhe shprehje interesi nga klube të huaja, të cilat kanë kërkuar të mësojnë kushtet për një transferim të mundshëm të Valverdes.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së këtyre interesimeve, vetë futbollisti ka ndërhyrë menjëherë për t’i dhënë fund çdo mundësie për negociata.
Reprezentuesi i Uruguait ka bërë të qartë se nuk dëshiron të hyjë në bisedime për një transferim, pasi prioriteti i tij mbetet të vazhdojë të luajë në Santiago Bernabeu.

Me këtë qëndrim, Valverde ka riafirmuar përkushtimin e tij të plotë ndaj Real Madridit dhe projektit sportiv të klubit, duke e forcuar edhe më shumë statusin e tij si një nga lojtarët e paprekshëm të skuadrës.
Real Madridi, ndërkohë, e konsideron mesfushorin uruguaian një pjesë shumë të rëndësishme të ekipit dhe nuk duket se ka ndërmend ta lejojë largimin e tij në këtë afat kalimtar. /Telegrafi/














































