Mulliqi: Kosova në NATO do ta stabilizonte Ballkanin – dialogu strategjik me SHBA-në duhet të rifillojë

Përfaqësuesi i organizatës “Albanians for America”, Gino Mulliqi, ka thënë se lidhjet e drejtpërdrejta me kongresmenë dhe senatorë amerikanë janë thelbësore për avancimin e çështjeve që lidhen me Kosovën në Washington.
Në një intervistë në “Përballje Podcast”, Mulliqi tha se një pjesë e rëndësishme e punës së organizatës është informimi i vazhdueshëm i Kongresit, Senatit dhe administratës amerikane për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.
Sipas tij, nuk mjaftojnë vetëm kontaktet politike, por rëndësi të veçantë ka edhe përmbajtja që u dërgohet politikëbërësve amerikanë.
“Është shumë i rëndësishëm konteksti që ne e sjellim përpara Kongresit dhe Senatit amerikan. Bëjmë op-ed, bëjmë materiale dhe gjëra që shkojnë në të gjitha zyrat, në Kongres, Senat dhe në administratë”, tha Mulliqi shkruan Telegrafi.
Ai bëri të ditur se në këto komunikime trajtohen zhvillimet më të fundit në Kosovë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, siguria dhe perspektiva euroatlantike e vendit.
Një nga çështjet që, sipas Mulliqit, duhet të rikthehet në agjendë është dialogu strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Pse dialogu strategjik Kosovë–Amerikë u ndërpre dhe pse duhet të rifillojë?”, tha Mulliqi, duke e renditur këtë ndër temat që organizata po i paraqet para institucioneve amerikane.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke argumentuar se një zhvillim i tillë do të kishte ndikim përtej kufijve të Kosovës.
- YouTube www.youtube.com
“Pse Kosova në NATO është një pjesë stabilizuese për të gjithë Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për Kosovën?”, u shpreh ai.
Mulliqi tha se këto çështje, së bashku me investimet strategjike amerikane në Kosovë, janë ndër temat për të cilat “Albanians for America” po zhvillon avokim në Washington.
Sipas tij, afrimi i Kosovës me SHBA-në dhe strukturat euroatlantike nuk duhet të trajtohet vetëm si interes i Kosovës, por edhe si çështje që lidhet me stabilitetin dhe sigurinë e gjithë Ballkanit Perëndimor.









































