LAJMI I FUNDIT:

Viti 1989: Fundi i Luftës së Ftohtë, Kosova dhe fillimi i luftërave në ish-Jugosllavi

Viti 1989: Fundi i Luftës së Ftohtë, Kosova dhe fillimi i luftërave në ish-Jugosllavi
Delegati Riza Lluka, më 23 mars 1989, ndër të paktët që votoi kundër ndryshimeve kushtetuese të imponuara nga pushteti i Sllobodan Milosheviqit

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1989?

Në janar 1989, Ante Markoviqi zë vendin e Branko Mikuliqit si kryeministër i Jugosllavisë. Me Markoviqin stabilizohet situata ekonomike. Madje, u perceptua si një shpresë që do ta shpëtojë vendin nga nacionalizmi serb. Por, shpresat për shqiptarët ishin të pakta. Ditët e zeza po vinin për ta. Kjo sepse lëvizja antishqiptare që nisi më 1987 nga serbët e Fushë Kosovës, e bëri Sllobodan Milosheviqin njeriun më të fuqishëm të Federatës jugosllave. E, për t’i bërë serbët popull dominant në Jugosllavi, atij i duhej kontrolli në shumicën e tetë njësive të asaj Federate. Këtë kontroll më parë e kishte siguruar në Vojvodinë dhe në Mal të Zi.


Të vetëdijshëm për kërcënimin serb, në shkurt 1989 nis greva e mbi 1,300 minatorëve, të cilët për herë të dytë mbyllen në zgafella në mbrojtje të autonomisë dhe Kushtetutës së vitit 1974. Minatorët shndërrohen në simbol të rezistencës. Por, meqë krerët e Jugosllavisë nuk donin konfrontim me Milosheviqin, pra as Markoviqi, ata e të gjithë shqiptarët tjerë mbetën të vetmuar e pa krah.

Riza Lluka, duke kundërshtuar suprimimin e autonomisë së Kosovës

Plani i kobshëm i Milosheviqit realizohet më 23 mars 1989. Atë ditë Kosova ishte në shtetrrethim. Apo, siç ka thënë delegati i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Riza Lluka: “Atë ditë edhe ajri ishte i ngrirë”. Në seancën e caktuar të Kuvendit, ku pritej të merrej vendimi për suprimimin e autonomisë, salla mbushet me “mysafirë” – gjysma e të cilëve në ulëset e para. Nëse shqiptarët do të kundërshtonin, ata do ta dominonin rrjedhën. Nga foltorja e Kuvendit, Lluka kërkon që të ndalohet votimi i atyre “mysafirëve” e që të merret parasysh vetëm vullneti i delegatëve. Por, fatkeqësisht, shumica e delegatëve nuk e dëshmuan veten. Nga 190 delegatë – të të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova – vetëm Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha votojnë kundër suprimimit të autonomisë. Dy delegatë abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.

Në xhirimet që janë publikuar nga mediat ndërkombëtare, dominon imazhi i delegatit Lluka duke mbajtur lart gishtat kundër ndryshimeve të propozuara. Ky imazh do të jetë një tjetër simbol i rezistencës dhe përfaqësimit të vullnetit real të shqiptarëve shumicë të Kosovës.

Pas suprimimit të autonomisë, demonstratat shpërthejnë anekënd Kosovës. Dhjetëra të rinj shqiptarë vriten nga milicia serbe. Në dhunën kundër shqiptarëve bëheshin bashkë të gjithë: serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë, maqedonë… Është kjo koha kur për shqiptarët përdoreshin fjalët: nacionalist, separatist, irredentist, secesionist, e madje kanibalist… Për ata që vepronin kundër popullit të vet e për interesat e Serbisë, serbët përdornin termin: shqiptarë të ndershëm… E, për vuajtjet e tyre, shqiptarët përdornin fjalët: segregacion, apartejd izolim, diferencim… Për shkak të këtij realiteti të hidhur, më 1989 shtohet vala e ikjeve nga Kosova për në shtetet e Perëndimit.

Pamje nga tubimi i tmerrit dhe marrisë: Gazimestan, 28 korrik 1989

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, radha i vjen Gazimestanit ku Milosheviqi feston 600-vjetorin e disfatës së vitit 1389 – të aleancës së ushtrive ballkanike të prirë nga princi serb Lazar, ndaj forcave të Perandorisë Osmane. Në këtë tubim ku ishin qindra-mijëra pjesëmarrës, Milosheviqi bëri me dije se do ta përdorë forcën për të realizuar planet e tij. “Gjashtë shekuj më vonë, tash, jemi të angazhuar në beteja dhe po ballafaqojmë beteja. Nuk janë beteja të armatosura, edhe pse kjo gjë nuk mund të përjashtohet. Sidoqoftë, çfarëdo qofshin ato beteja, ato nuk mund të fitohen pa vendosmëri, pa trimëri dhe pa sakrificë…”, ka thënë ai. Po ashtu, në atë tubim Milosheviqi nis retorikën se serbët gjoja po e mbrojnë Evropën nga fundamentalizmi islamik, për çka Thomas A Emmert më 1993 ironizon: “Pak kishte kuptim për të (Milosheviqin) se evropianët dhe amerikanët nuk kanë nevojë për atë mbrojtje”. Të pranishëm aty ishin edhe Janez Dërnovshek, Milo Gjukanoviq dhe hungarezi Mihal Kertes. Aty ishte edhe shkrimtarja Desanka Maksimoviq, që më vonë – nga dramaturgu dhe studiuesi Petrit Imami – kuptohet se kishte origjinë shqiptare.

Aty ishte i pranishëm edhe historiani i njohur Noel Malcolm. Sipas studiuesit Daut Dauti, më 1989 Malcolm kishte udhëtuar këmbë në disa vende të Ballkanit, përfshirë Turqinë. “Në qershor të vitit 1989 nga Tetova kishte ecur këmbë deri në Prizren, duke i kaluar malet e Sharrit ku kishte fjetur në shtëpitë e fshatarëve të asaj ane. Pastaj, me 28 qershor mbërriti në Gazimestan ku ishte ulur ndër rreshtat e parë për ta dëgjuar ‘fjalimin historik’ të Sllobodan Millosheviqit. Pasi e kishte dëgjuar fjalimin dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e masës kishte ardhur në përfundim se ‘diçka ishte shumë gabim në këtë mes’. Dhe, për të qenë gabimi edhe më i madh, politika britanike përkrahte ndryshimet që kishin filluar në Jugosllavi nga Millosheviqi. Një gjë e tillë e kishte shtyrë t’i hynte hulumtimit dhe ta gjente të vërtetën”, ka shkruar Dauti.

Ibrahim Rugova, i biri Uka, gruaja e tij Fana dhe fotoreporteri “Zërit të rinisë”, Hazir Reka, në banesën e familjes Rugova në lagjen “Lakrishte” të Prishtinës, më 31 dhjetor 1989, ora 22:30.

Viti 1989 ishte edhe viti i asaj që dikur quhej pluralizëm politik. Pra, pos Partisë Komuniste, dalin në skenë edhe partitë me ideologji tjetër politike. Kështu, më 23 dhjetor, nga një grup intelektualësh, në Prishtinë formohet Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetar zgjidhet zëri më i fuqishëm e më argumentues i asaj kohe kundër pushtetit opresiv serb, Ibrahim Rugova. Simbol i ri i shqiptarëve të Kosovës ishte ai i paqes, i lëvizjes hipi: dy gishta të ngritur, në formën e shkronjës “V”. Kertesi që ishte i pranishëm në Gazimestan, kërcënon se do t’ua presë gishtat shqiptarëve që do ta shpërfaqin atë simbol.

Më 1989, Rugovën e takon një gazetar francez. “Vetëm një shqiptar i Kosovës pranoi rrezikun për të folur me ne, dhe ai ishte Ibrahim Rugova”, ka thënë ai gazetar. Për situatën politike në Kosovë, Rugova ndër të tjera shprehet: “Mund t’ju them se është shumë e vështirë, sepse ekziston gjithashtu një shtypje psikologjike, një atmosferë arrestimesh. Edhe unë vetë personalisht nuk ndihem i sigurt… Ata na thonë për shembull se ju nuk keni të drejtën për të patur një republikë, sepse tashmë ekziston një shtet kombëtar shqiptar dhe nuk ka pse të ketë dy shtete shqiptare, e të tjera, çka për mua janë arsye banale”.

Viti 1989 mbahet në mend edhe si viti kur emetohet programi i fundit i Vitit të Ri të RTP-së e ku me padurim shqiptarët prisnin orët e vona të mbrëmjes për të parë skeçet e “Treshi Përsheshit”… dhe, vallet e ShKA “Emin Duraku”. Në “Zërin e rinisë” roku zinte vend me rëndësi. Botoheshin posterët e Madonnas, John Lennonit, grupit Whltesnake etj. Rok skenën e atëhershme kosovare e karakterizonin: 403, Seleksioni 039, Lindja, \Babilon, Minatori, Moneyfest, Dardan Shkreli, Fillimi i Fundit… Ky ishte definitivisht vit i rokut kosovar. Ndërkaq, në botë më së shumti dëgjoheshin: Jon Bon Jovi, Simply Red, Fine Young Canibals, Stone Roses, Tears for Fears, The Cure, Soul II Soul, Depeche Mode, Aerosmith, Simply Minds… dhe skandali më i madh muzikor i dekadës, Milli Vanilli.

Filmat më të njohur në Perëndim e që pas depërtimit të video-rekorderëve vinin edhe në shtëpitë e kosovarëve, ishin: “Rain Man” (Njeriu i shiut), “Batman” (Njeriu lakuriq), “Sex, Lies and Videotape” (Seksi, gënjeshtrat dhe video-kaseta) dhe “Drugstore Cowboy” (Kauboji i barnatores). Në Kosovë ishte ende aktual filmi dubioz i Isa Qosjes, “Rojat e mjegullës”.

Nëna Tereze në takim me liderin komunist të Shqipërisë, Ramiz Alinë

Më 1989, Shqipërinë e viziton fotografi Robert Pichler. Se cila ishte situata në shtetin më absurd të Evropës, e zbërthejnë këto fjalë të tij: “Kjo përvojë e parë ishte shumë e keqe; unë u trondita nga situata në vend, nga trishtimi që mbizotëronte, nga kontrolli që u ushtrua kudo. Njerëzit nuk lejoheshin të bisedonin me ne edhe pse i gjetëm mënyrat për t’i kontaktuar me ta. Monotonia që shihej në hapësirën publike ishte veçanërisht e keqe, pa ngjyrë, pa dritë në mbrëmje, burra të cilët të gjithë kishin të njëjtën jelek dhe mbanin të njëjtat veshje”.

Po më 1989, Shqipërinë e viziton nobelistja dhe humanistja shqiptare, Nëna Tereze. Në Shqipëri asaj i vdiq nëna Drane e motra Age, por regjimi komunist nuk e lejoi t’i vizitonte ato. Sipas Dom Lush Gjergjit, kur asaj iu ndalua të vizitonte më të afërmet, nga mërzia ka thënë: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”. Më 14 korrik 1972, ajo merr një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu që jetonte në Palermo, i shkruan: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”. Motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Ndaj, më 1989 shumëkush ia zuri për të madhe Nënës Tereze se pse pranoi të shkonte te varri i Enver Hoxhës. Një nga kritikët ishte edhe At Zef Pllumi. Prifti që ka përgatitur rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës thotë se ajo është dërguar tek varri pa e ditur, pasi ashtu ishte protokolli i asaj kohe. Ndërsa, Alessandra Nucci nga “Catholic World Report” shkruan për atë se çfarë ka thënë se shkrimtari shqiptar, Marcel Hila. Në shtator 1985, Hila ishte ushtar i paarmatosur në regjimin komunist – grada më e fundit në ushtrinë shqiptare, ku vendoseshin ata që konsideroheshin të rrezikshëm për regjimin komunist. Enver Hoxha kishte vdekur dhe një ditë në repartin e tyre mbërrin një ushtar i ri, i ulur në pozitë, që kishte shërbyer më parë në Gardën e Republikës. “E ruanim varrin e Enverit. Nuk ia ke idenë se si është aty natën. Dëgjon zhurma, ulërima, britma, toka dridhet poshtë këmbëve të tua, duket sikur rënkimat vijnë nga humnera. Është një torturë. Mbi 20 njerëz nga njësia jonë kanë përfunduar në psikiatri. Duke ardhur këtu, unë shpëtova nga e gjitha kjo. Sigurisht punoj më shumë, por të paktën nuk e dëgjoj atë ferr”, citohet të ketë thënë ai ushtar. Sipas Hilës, Nëna Tereze kinse ishte ftuar nga Nexhmije Hoxha në Shqipëri, meqë shpresonte se ndërmjetësimi i saj mund të zhdukte dukuritë e mbinatyrshme që kishin pllakosur varrin e burrit të saj, Enverit, dhe se gjithçka pas kësaj vizite ka qenë qetë aty.

Pamje nga Shqipëria e vitit 1989 (foto: Robert Pichler)

Më 1989, ndryshimet politike kaplonin tërë bllokun komunist të Evropës Lindore, si Rumaninë, Poloninë, Çekosllovakinë, Bullgarinë e madje BRSS-në. Veç Shqipëria qëndronte “stoike” në marrëzinë e vet. Ushtria sovjetike tërhiqet nga Afganistani, ndërsa në Rumani ndodhë një kryengritje që përfundon në dhjetor me ekzekutimin e liderit komunist, Nicolae Causesku, dhe të gruas së tij Elena. Pamjet e ekzekutimit të tyre transmetohen kudo në botë. Për Riza Llukën, ato pamje ishin dhe mbeten paralajmërim për çdo diktator – për fatin që mund t’i presë.

Ngjarja më e madhe e vitit dhe një nga kryesoret të shekullit XX, mbetet Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Gjithçka ndodhi rastësisht, kur një zëdhënës qeverisë së Gjermanisë Lindore tha se qytetarët ishin tani të lirë të udhëtonin në Perëndim. Njoftimi i papritur ishte një gabim burokratik, por gjermano-lindorët mësynë kufirin. Në konfuzion, rojat hapën portat. Disa javë më vonë, lideri sovjetik Mikhail Gorbachev dhe presidenti i ri amerikan, George Bush, deklaruan se Lufta e Ftohtë ka marrë fund. “Dukej se gjendja po bëhej më paqësore, se bota ishte në një moment më paqësor. Disa madje thanë se ishte fundi i historisë”, ka thënë për këtë, Hermann Wentker nga Instituti i Historisë Bashkëkohore.

Më 1989 vdesin: perandori Japonez Hirohito, piktori surrealist Salvador Dali, regjisori Sergio Leone, kompozitori Irving Berlin, aktorja Bette Davis, disident rus Andre Sakharov, dramaturgu Samuel Bekett… Ndërkaq, lind zbulimi që do ta bëjë botën jo dhomë po xhep global: World Wide Web (WWW). /Telegrafi/

Pamje nga rënia e Murit të Berlinit