LAJMI I FUNDIT:

Viti 1988: Fillimi i fundit të Jugosllavisë dhe dalja e Ibrahim Rugovës në skenën politike të Kosovës

Viti 1988: Fillimi i fundit të Jugosllavisë dhe dalja e Ibrahim Rugovës në skenën politike të Kosovës
Fotografia e Ibrahim Rugovës e botuar në revistën “Start”, më 1989. Fotoja është bërë nga fotoreporteri i Javores “Zëri”, Hazir Reka. Serbia ka bërë presione të mëdha që ky numër të mos dal fare në shitje, pikërisht për shkak të intervistës me Rugovën. Në fund, Serbia ndalon shitjen kudo ku kishte kontroll në ish-Jugosllavi (Serbi, Vojvodinë, Mal të Zi dhe Kosovë).

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1988?

Situata nuk ishte e mirë në Kosovë. Sllobodan Millosheviqi nisi të marrë pushtet absolut në Serbi dhe haptas t’i shfaqë planet antishqiptare të hartuara nga Akademia Serbe e Shkencave – për shndërrimin e federatës jugosllave në një krijesë të dominuar nga serbët.


Synimet serbe gjoja fshiheshin prapa të ashtuquajturit Revolucion Antiburokratik, me protesta në vise të ndryshme të Jugosllavisë. Kështu, më 5 tetor 1988, 150 mijë protestues serbë të udhëhequr ndër të tjerët edhe nga hungarezi famëkeq Mihal Kertesh, u mblodhën para Kuvendit të Vojvodinës në Novi Sad. Të nesërmen, e gjithë Kryesia e këtij rajoni jep dorëheqje (Kerteshi më vonë do të deklarojë se ka për t’ua prerë shqiptarëve dy gishtat – tek bënin “V”-në si simbol të paqes dhe demokracisë). Më 7 tetor dështoi plani i tillë në Malin e Zi, por qëllimi do të arrihej më 10 janar 1989. Serbët mësynë Revolucionin Antiburokratik edhe në Slloveni, në rajonin më të pasur të Jugosllavisë, por u ndaluan nga policia sllovene, pak edhe me ndihmën e kroatëve.

Pamje nga “Jogurt Revolucioni” në Novi Sad. Për t’i marrë me të mirë protestuesit, pushteti u jep atyre bukë e jogurt falas. Por, jogurti do të hidhej drejt ndërtesës së Kuvendit vojvodinas

Më 17 nëntor 1988, liderët komunistë të Kosovës, Kaqusha Jashari dhe Azem Vllasi, shkarkohen nga Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Kosovës (LKK). Ky ishte hapi i parë drejt suprimimit të autonomisë së Kosovës, synim që do të realizohej pak muaj më vonë, më 23 mars 1989, kur serbët do të kenë dominim absolut në shumicën e tetë njësive të Federatës jugosllave (Serbi, Kosovë, Vojvodinë e Mal të Zi, ndërsa Bosnja e Hercegovina e Maqedonia ndonëse nuk ishin nën ndikimin direkt serb, nuk kundërshtonin shumë politikat e Millosheviqit).

Të vetëdijshëm për planet finale të Millosheviqit, minatorët e “Trepçës” ndërmarrin një marsh drejt Prishtinës. Këtij marshi në këmbë, që nisi më 17 nëntor 1988, nga të gjitha anët e Kosovës do t’i bashkohen – deri më 22 nëntor – afro 500 mijë njerëz. Por, protestuesit paqësorë shqiptarë – që mbanin fotot e Titos si dëshmi se nuk janë për shkatërrim të Jugosllavisë, siç pretendonin serbët kur sulmonin Kosovën – ishin të vetmuar. Askush nuk u dilte në ndihmë.

Pamje nga Marshi i Minatorëve

Më 19 nëntor 1988, serbët u mblodhën në Beograd, në vazhdën e protestave që ndryshe i quanin edhe Mitingjet e së Vërtetës, ku Millosheviqi tha: “Do ta fitojmë betejën e Kosovës përkundër pengesave që kemi brenda shtetit dhe jashtë tij. Pra, do të fitojmë përkundër bashkimit të armiqve tanë jashtë dhe atyre nga brenda. Se ky popull do të fitojë betejën e lirisë, kjo është e ditur që nga koha e pushtuesve turq dhe gjermanë”.

Rezistenca shqiptare do të vazhdonte me demonstrata edhe vitin tjetër. Shumë u vranë, shumë u plagosën e u arrestuan. Në Kosovë u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Në krah policëve serbë u dalin edhe forcat speciale nga të gjitha njësitë federative të Jugosllavisë. Secili më i keq se tjetri!

Remzi Kolgeci, Kaqusha Jashari, Azem Vllasi dhe Kolë Shiroka në një nga mbledhjet e KQ të LKJ-së (1988).

Pas shkarkimit të Jasharit dhe Vllasit, njeriu më i pushtetshëm në Kosovë ishte Remzi Kolgeci, i cili ishte kryetar i Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Ai masave në Prishtinë, në nëntor 1988, ju thotë: “Nuk mund të bëj asgjë për ju”! Në janar, vendin e tij në krye të LKK-së do ta zinte Rrahman Morina. Më 30 prill 1989, Kolgeci dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kryesisë.

Nga viti 1988, u rrit numri i shqiptarëve oportunistë që do t’i bindeshin pushtetit të Millosheviqit. Ata më vonë do të quheshin, nga vetë serbët: “Shqiptarë të ndershëm”!

Irritim, zhgënjim, frikë kudo ndër shqiptarë…

Protestuesit serbë që ngritën monstrumin në pushtet

Në prill 1988, në Beograd mbahet një takim mes shkrimtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nga i cili takim Ibrahim Rugova (kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), do të nis të identifikohet si luftëtari më i zëshëm për mbrojtjen e kauzës shqiptare në Kosovës.

Në intervistën dhënë revistës “Start”, më 1989, ai do të thotë: “Të shkolluarit janë gjithmonë fajtorë për gjithçka. Ju pengon që inteligjenca shqiptare që për herë të parë shfaqet si tërësi autonome dhe atë në këtë situatë të vështirë. Shfaqen intelektualët dhe rrezikojnë. Mendoj se në këtë fatkeqësi pikërisht kjo është e mirë, ajo shfaqja jonë e pavarur – ndonëse e rrezikshme. Rreziku jonë është kualiteti i ri e ndoshta nuk e teproj të them se është edhe shenjë e pjekurisë sonë”.

Fotografia e Ibrahim Rugovës e botuar në revistën “Start”, më 1989. Fotoja është bërë nga fotoreporteri i Javores “Zëri”, Hazir Reka. Serbia ka bërë presione të mëdha që ky numër të mos dal fare në shitje, pikërisht për shkak të intervistës me Rugovën. Në fund, Serbia ndalon shitjen kudo ku kishte kontroll në ish-Jugosllavi (Serbi, Vojvodinë, Mal të Zi dhe Kosovë).

Në janar 1988, vdiq në burg Andrija Artukoviqi, bashkëpunëtor i regjimit ustash të Ante Paveliqit – liderit të Kroacisë së pavarur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u ekstradua në Jugosllavi nga SHBA-ja – ku kishte jetuar që nga viti 1945 – nën akuzat për vrasjen masive të civilëve serbë. U dënua me vdekje, por dënimi nuk u zbatua për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore. Gjatë ekstradimit, në media u lansuan pamjet e futjes së tij në veturë, ku ai çohet pak dhe ngre kokën lartë. Nga shqiptarët atëherë del barsoleta se në ato momente ai donte të dinte se sa armiq çetnikë serbë i kanë mbetur gjallë. “Ai vendosi vet të kthehet, që të vdes në tokën e tij”, ishte versioni tjetër shqiptar, për fundin e jetës së tij. Në fakt, pushteti komunist jugosllav kishte kërkuar ekstradimin e tij që nga viti 1951, kërkesë që përherë kishte hasur në veshin e shurdhër të amerikanëve.

Andrija Artukoviqi gjatë gjykimit

Ndërkohë, revista franceze “GEO” botoi artikullin: “Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Evropës”. Reporteri Edouard Bailby dhe fotografi Michel Setboun kur u futën në Shqipëri përmes Jugosllavisë, nga kufitarët jugosllavë u paralajmëruan me këto fjalë: “Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do t’ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri”. E njëjta vlente edhe në Shqipëri ku u atyre u është thënë: “Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike”.

Në këtë shkrim zbërthehej Shqipëria e paradokseve. Kjo vërehej sidomos me katër paragrafët e mëposhtëm:

“Nuk ka automjete individuale (të ndaluara ngaqë përfaqësojnë ‘egoizmin borgjez’), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe xhipa që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete zigzagojnë përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj”

“Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parulla: ‘Lavdi RPSSH’; ‘Përjetë me Enverin’. Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët: ‘Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde’. Shqipëria i përket një bote e cila nuk është më ajo e evropianëve të fundshekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes? ‘Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne’, thotë shoqëruesi ynë. ‘Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun’! Ky mendim ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullnetin e rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore”.

Durrësi më 1988

“Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat. Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. ‘Relaksohuni’, përsëriste guida jonë. Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën e një kohe të harruar”.

“Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944! Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në 8 lekë. Përsa i përket rrogave, ekzistojnë dy lloje: minimumi 500 lekë në muaj dhe maksimumi 1,000 lekë. S’ka luks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik. Toka (prona) i përket shtetit, dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjtë dhe janë të rralla: 3,000 lekë për një lavatriçe; 4,500 për një televizor. Ndërsa biçikleta, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushton rreth 750 lekë secila… Është e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet”.

Më 1988, Shqipëria kishte 3.19 milionë banorë. Kosova kishte 1.85 milionë banorë.

Sheshi i Tiranës, pa asnjë makinë më 1988

Një ngjarje e madhe u bë lajm botëror dhe me të lidhej emri i një historiani kontrovers të Kosovës – Hakif Bajramit. Fjala është për implikimet e Kurt Waldheimit – ish-Sekretarit të OKB-së që më 1988 ishte president i Austrisë – në gjoja krime gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 7 shkurt të vitit 1988, Agjencia Telegrafike Hebraike (JTA), raporton se Waldheim ka marrë pjesë në ekzekutimin e “104 shqiptarëve në Kampin e Prishtinës” më 1944. Por, historianët gjermanë që nisën të hulumtojnë të kaluarën e Waldheimit, nuk mundnin të gjenin dokumentet që e ndërlidhnin atë me këto krime apo deportimin e civilëve të ish-Jugosllavisë në kampet e punës e të vdekjes. Zyra e Waldheimit (Presidenca austriake), siç raportonte JTA, kishte mohuar këto akuza që u publikuan edhe nga javorja gjermane Der Spiegel.

Akuzat vinin pikërisht nga Bajrami, që ishte drejtor i Arkivit të Kosovës dhe kryetar i Komisionit të Historianëve që merreshin me shkrimin e historisë së Partisë Komuniste të Kosovës. Për të thuhej se kishte lejen e Ali Shukriut – “shqiptarit të ndershëm”, komunistit luajal të politikës serbe – për të hulumtuar arkivat e Beogradit. Ndaj, ende ekzistojnë dyshimet se publikimet që ndërlidhen me figurën e Waldhemit, i ishin servuar Bajramit për interesa të politikës së asaj kohe. Se diçka e dyshimtë ishte këtu, dëshmon fakti se Bajrami kishte refuzuar të bashkëpunonte me një komision ndërkombëtar të historianëve, të formuar nga Austria, për të hulumtuar të kaluarën ushtarake të Waldheimit.

Kurt Waldheim

Pas tetë vjetësh pushtimi e luftimesh, më 1988 BRSS tërhiqet nga Afganistani. Një nga liderët e forcave të muxhahedinëve që u rezistuan suksesshëm sovjetikëve, Osama bin Laden, do të formonte këtë vit grupin famëkeq terrorist, al-Qaeda. Më 1988 përfundoi lufta Irak-Iran, e cila për tetë vjet sa zgjati, shkaktoi mbi një milion viktima. Por, nuk u ndal lufta mes izraelitëve e palestinezëve. Madje, këto luftime u intensifikuan pasi më 15 nëntor 1988 u shpall shteti i pavarur i Palestinës.

Bllokut Lindor komunist në Evropë iu lëkundën themelet, fillimisht pasi rajoni Nagorno-Karabak kërkoi të ndahej nga Azerbajxhani e të bashkohej me Armeninë. Pastaj, nisën Demonstratat e Qiririt në Bratisllavë të Çekosllovakisë dhe Revolucioni i Këngëve në Estoninë që ishte pjesë e BRSS-së. Për disa analistë, ishte në fakt plani i zhvillimit ekonomik i quajtur Perestrojka, i iniciuar nga kryeministri sovjetik Mikhail Gorbachev, ai që i dha goditjen më të madhe komunizmit.

Osama bin Laden në Afganistan, në vitet 1980

Më 10 nëntor, terroristët libianë shkatërruan aeroplanin e Pan Am-it mbi territorin e Skocisë, duke lënë mbi 270 të vdekur. Këtë akt terrorist nuk do ta harronin kurrë amerikanët dhe kjo do t’i kushtonte rënd liderit libian, Muammar Gaddafi, i cili dy vjet më parë veç ishte bombarduar nga SHBA-ja e udhëhequr nga presidenti Ronald Reagan (pas sulmit terrorist në një diskotekë të Berlinit, që vizitohej nga ushtarët amerikanë).

Më 1988 lajmërohet virusi i parë (krimb) në kompjuterë, ndërsa Tim Berners-Lee në CERN do të diskutonte konceptin e WWW-së (World Wide Web apo Rrjeti Mbarëbotëror). Koncepti i WWW-së do të jetësohej më 6 gusht 1991 dhe bota më kurrë nuk do të jetë e njëjtë.

Më 1988 u lindën artistet e famshme të së sotmes: Rihanna, Adele dhe Emma Stone

Më 7 dhjetor 1988, një tërmet shkatërrues me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit, goditi Armeninë. Numri i viktimave thuhet se arrinte deri në 50 mijë. Pas këtij tërmeti, në Britani të Madhe nisi aktiviteti humanitar i njohur si Rock Aid Armenia. Qëllimi ishte që përmes muzikës të ndihmoheshin viktimat e këtij tërmeti. Në kuadër të këtij aksioni u lansua edhe singli “Smoke on the Water”, i grupit Deep Purple. Kënga e vitit 1972 do të përpunohej nga emrat më të mëdhenj të industrisë së rockut: Bryan Adams, Ritchie Blackmore, Bruce Dickinson, Geoff Downes, Keith Emerson, Ian Gillan, David Gilmour, Tony Iommi, Alex Lifeson, Brian May, Paul Rodgers, Chris Squire, Roger Taylor, John Paul Jones dhe Jon Lord. /Telegrafi/

David Gilmour dhe Brian May