LAJMI I FUNDIT:

Trump telefonoi Zelenskyn, Musk iu bashkua thirrjes – zbardhen disa detaje se çfarë diskutuan

Trump telefonoi Zelenskyn, Musk iu bashkua thirrjes – zbardhen disa detaje se çfarë diskutuan

Gjatë telefonatës së djeshme midis Donald Trumpit dhe Volodymyr Zelensky ndodhën dy gjëra të papritura: në linjë ishte edhe Elon Musk, dhe ajo që dëgjoi presidenti ukrainas nga homologu amerikan e qetësoi atë deri diku, raportoi Axios, duke cituar dy burime të njohura me bisedën.

Detajet e reja të telefonatës nënvizojnë se sa ndikues mund të jetë Musk në një administratë të dytë të Trumpit dhe pasigurinë rreth mënyrës se si republikani do t’i qaset Ukrainës.

Mesazhet publike të Trumpit gjatë fushatës zgjedhore kanë ngritur shqetësime në Kiev dhe në të gjithë Evropën. Trump ka premtuar një zgjidhje të shpejtë për luftën, por ka refuzuar të thotë se kush duhet të fitojë. Ai gjithashtu ka kritikuar paketat e mëdha të ndihmës që po i dërgohen Ukrainës nga SHBA.


Administrata e Joe Bidenit tani po kërkon mënyra për të dërguar sa më shumë ndihmë ushtarake Ukrainës përpara 20 janarit, kur Trump mund ta ndërpresë atë. Por, bisedat private që Trump dhe ekipi i tij kanë zhvilluar me Zelenskyn gjatë dy muajve të fundit – përfshirë atë të djeshmen – kanë qetësuar disi ukrainasit, thonë burimet.

Vetë Zelensky e konsideron si shenjë pozitive se sa shpejt ishte kontaktuar prej Trumpit, tha një nga burimet për Axios. Trump ende nuk ka folur me Vladimir Putinin, por presidenti rus ka thënë se do të përgjigjet nëse merr telefonatë nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas burimeve të njohura me detajet, biseda mes Trumpit dhe Zelenskyt zgjati rreth 25 minuta.

Pasi Zelensky e përgëzoi Trumpin, presidenti i sapozgjedhur i tha se do ta mbështesë Ukrainën, por nuk hyri në detaje.

Tre burime të njohura me telefonatën i thanë Axios se udhëheqësi ukrainas mendon që telefonata shkoi mirë ndërsa një burim tjetër deklaroi se biseda nuk shkaktoi “ndjenjë dëshpërimi” tek Zelensky.

Musk gjithashtu ndërhyri gjatë telefonatës dhe tha se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën përmes satelitëve Starlink, thanë burimet.

Starlink ka qenë vendimtar në luftën e ukrainasve, megjithëse Musk gjithashtu ka përqeshur kërkesat e Zelenskyt për ndihmën amerikane gjersa Zelensky e ka qortuar miliarderin pas propozimit të tij për një plan paqeje në vitin 2022.

Trump dhe Zelensky nuk kanë diskutuar rreth pretendimeve të 78-vjeçarit për përfundimin e luftës apo perspektivat për ndihmë të mëtejshme nga SHBA-ja, thanë burimet.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/