Basha: Do të ndërmarrim masa ndaj operatorëve që po vonojnë punimet në rrugën Prishtinë–Podujevë


Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka thënë se Ministria do të ndërmarrë masa ligjore ndaj operatorëve ekonomikë që nuk po respektojnë dinamikën e punimeve në rrugën Prishtinë–Podujevë.
Përmes një postimi në Facebook, Basha ka bërë të ditur se ka vizituar nga afër punimet në këtë aks rrugor, duke theksuar se që nga marrja e detyrës ky projekt ka qenë një nga prioritetet e tij.
“Që nga dita kur mora detyrën, kjo rrugë ka qenë një nga prioritetet e mia. Kam zhvilluar dhjetëra takime me mbikëqyrësit dhe menaxherët e kontratave, kam realizuar vizita të shumta në terren për t’i parë nga afër të gjitha problemet dhe kam takuar veç e veç operatorët ekonomikë, me qëllim që të gjejmë zgjidhje për secilin segment”, ka shkruar Basha.
Sipas tij, pas konsultimeve me operatorët është arritur marrëveshje që disa pjesë kritike të projektit të përfundojnë më herët, veçanërisht urat dhe nyjet që paraqesin rrezik më të lartë për qarkullimin.
“Pas konsultimeve intensive, kemi arritur marrëveshje me operatorët që disa pozicione kritike të përfundojnë më herët – veçanërisht urat dhe disa nyje që paraqesin rrezik të lartë – pasi prioriteti ynë është siguria dhe lehtësimi sa më i shpejtë i qarkullimit”, ka deklaruar ministri në detyrë.
Duke folur për segmentin në Bardhosh, Basha tha se brenda kësaj jave pritet të përfundojë njëra pjesë e urës, ndërsa më pas qarkullimi do të riorganizohet për të lehtësuar lëvizjen e automjeteve.
Ai u ndal edhe te segmenti në Vranidoll, për të cilin tha se ka pasur ngecjet më të mëdha dhe kritikoi operatorin ekonomik për vonesat.
“Pavarësisht vizitave të shumta, takimeve dhe insistimit tonë të vazhdueshëm, operatori ekonomik ka treguar papërgjegjësi të vazhdueshme, si në ndërtimin e urës, ashtu edhe në punimet e tjera të këtij segmenti”, ka shkruar Basha.
Ai shtoi se periudha e tolerancës ka përfunduar dhe se Ministria do të përdorë të gjitha masat e parapara me ligj për mosrespektimin e kontratës.
“Mendoj se kemi qenë mjaftueshëm tolerantë, duke shpresuar se problemet do të zgjidheshin përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Mirëpo, kjo periudhë ka përfunduar. Tash e tutje, Ministria do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj për mosrespektimin e dinamikës së kontratës. Nuk do të tolerojmë më vonesa të pajustifikuara apo mashtrime”, ka deklaruar ai.
Basha ka njoftuar se segmenti nga Ura e Vranidollit deri në Teneshdoll është përfunduar në masë të madhe, ndërsa kanë mbetur vetëm disa punime përmbyllëse. Sipas tij, një pjesë e punimeve është shtyrë për shkak të gjetjeve arkeologjike dhe për këtë çështje janë duke u koordinuar me Ministrinë e Kulturës.
Për urën e Lluzhanit, ministri në detyrë ka bërë të ditur se operatori ekonomik është zotuar që deri në fund të javës së ardhshme të lirojë një krah të urës për qarkullim.
Ndërsa për segmentin e fundit, te ura mbi lumin Llap, Basha ka thënë se asfaltimi mbi urë ka përfunduar dhe kanë mbetur vetëm disa punime përmbyllëse.
Në fund, ai ka thënë se janë adresuar edhe shqetësimet e banorëve përgjatë këtij aksi dhe se do të hartohet një projekt i veçantë për përmirësimin e mangësive të mbetura.
“E kuptoj plotësisht frustrimin e qytetarëve që çdo ditë përballen me vonesa dhe vështirësi në qarkullim. Jam marrë personalisht dhe pa ndërprerje me këtë projekt dhe do të vazhdoj të jem vazhdimisht në terren, duke mbikëqyrur punimet e mbetura, por njëkohësisht edhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo vonesë të pajustifikueshme”, ka shkruar Basha. /Telegrafi/


































