Pas gjendjes emergjente me mbeturinat, Bulliqi siguron tre kamionë shtesë për Podujevën

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se janë ndërmarrë masa të menjëhershme për përballimin e situatës së rënduar me mbeturinat në qytet.
Bulliqi ka bërë të ditur se, pas shpalljes së gjendjes emergjente, Komuna ka siguruar edhe tre kamionë shtesë, të cilët janë vënë në dispozicion të kompanisë “Pastrimi” për grumbullimin e mbeturinave.
“Që nga mëngjesi i sotëm, Komuna ka siguruar edhe tre kamionë shtesë, të cilët i janë vënë në dispozicion kompanisë ‘Pastrimi’ për grumbullimin e mbeturinave”, ka njoftuar Bulliqi.
Ai ka theksuar se veprimet do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të situatës dhe rikthimin e pastërtisë në qytet.
Kryetari i Podujevës u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe mirëkuptim gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/






































