Podujeva shpall gjendje emergjente nga mbeturinat

Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të situatës së rënduar me grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave në qytet dhe fshatra.
Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe do të jetë në fuqi nga 5 gushti deri më 5 nëntor 2026.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili është edhe kryesues i Shtabit, tha se situata me mbeturinat është përkeqësuar gjatë muajve të fundit.
“Ka disa muaj që menaxhimi me mbeturina në qytet dhe fshatra të Podujevës është i rënduar”, deklaroi Bulliqi.
Sipas tij, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” më herët kishte kërkuar të lirohej nga shërbimi në fshatra për shkak të pamundësisë për ta ofruar atë, ndërsa kjo përgjegjësi kishte kaluar te kompania private “Natyra”.
Megjithatë, Bulliqi tha se tashmë probleme janë paraqitur edhe në shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në qytet.
“Ka raste që operon me një kamion, e ka ditë që nuk ofron shërbim fare. Për shkak të kësaj gjendje që është krijuar, ku tash i kemi edhe mërgimtarët këtu dhe vëllimi i mbeturinave është rritur dhe duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve, e kam marrë një rekomandim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që të shpallim gjendjen emergjente”, tha ai.
Bulliqi bëri të ditur se situata është evidentuar edhe përmes tri raporteve të institucioneve komunale, përkatësisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorisë së Inspeksionit dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Kryetari i komunës tha se Podujeva ka ndihmuar në vazhdimësi KRM “Pastrimi”, përfshirë edhe përmes subvencioneve, por sipas tij, këto masa nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme.
“Vullneti ynë është që ta ndihmojmë këtë ndërmarrje, por po shihet që ka keqmenaxhim nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje në qendër. Për shkak të kësaj gjendjeje të rënduar, ne duhet të gjejmë një zgjidhje të shpejtë për mbledhjen e mbeturinave në qytet”, u shpreh Bulliqi.
Në kuadër të masave emergjente, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim është obliguar të hartojë dhe zbatojë një plan operacional për grumbullimin, transportimin dhe largimin e mbeturinave.
Po ashtu, është paraparë inicimi i një procedure të përshpejtuar të prokurimit për sigurimin me qira të tre kamionëve dhe tre vozitësve, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi”.
Ndërkohë, Drejtoria e Inspeksionit është obliguar të intensifikojë kontrollet dhe të ndërmarrë masa ligjore ndaj personave që krijojnë deponi të paligjshme, ndërsa Drejtoria për Buxhet dhe Financa duhet të sigurojë mjetet e nevojshme financiare për zbatimin e masave emergjente.
Propozimi për shpalljen e gjendjes emergjente është miratuar njëzëri nga anëtarët e Shtabit Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim.




































