Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi Zyra e Kryeministrit nuk i është përgjigjur kërkesës së organizatës për qasje në dokumente publike lidhur me dorëheqjet e anëtarëve të Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë.

GLPS ka bërë të ditur se kërkesën për qasje në dokumente e kishte dorëzuar më 6 gusht, duke kërkuar listën e anëtarëve të Qeverisë që kanë dhënë dorëheqje, datat e dorëheqjeve si dhe vendimet përkatëse për pranimin e tyre.


Sipas GLPS-së, kërkesa lidhet me dispozitat e Ligjit për Qeverinë, i cili përcakton se anëtari i Qeverisë në detyrë që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i ministrit para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Organizata i është referuar edhe nenit 72 të Kushtetutës, i cili ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe ministrit. Sipas GLPS-së, kjo çështje është trajtuar edhe nga Gjykata Supreme në vendimin P.A.nr.09/2025 të 25 qershorit 2025.

“Përkundër obligimit ligjor dhe rëndësisë së kësaj çështjeje, ZKM nuk i është përgjigjur kërkesës së GLPS-së brenda afatit prej 7 ditësh”, thuhet në reagimin e organizatës.

GLPS e ka cilësuar heshtjen e Zyrës së Kryeministrit si shkelje të detyrimeve ligjore dhe të parimeve të transparencës e llogaridhënies institucionale.

Për këtë arsye, më 17 gusht, GLPS ka dorëzuar ankesë në AIP, duke kërkuar që ZKM-ja të obligohet t’i ofrojë informacionet dhe dokumentet e kërkuara.

GLPS ka kërkuar gjithashtu nga Qeveria që pa vonesa ta informojë publikun për statusin e dorëheqjeve të anëtarëve të Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë dhe t’i bëjë publike dokumentet përkatëse. /Telegrafi/